Shfrytëzimi i plazheve/ Tatimet nisin numërimin e çadrave dhe shezlongeve, në ‘sitë’ edhe kontratat e qirasë dhe kuponi tatimor    

Prej 4 javësh administrata tatimore ka nisur aksionin për verifikimin e kontratave të qirasë për shfrytëzimin e plazheve private në të gjithë bregdetin e Shqipërisë.

Verifikimi i kontratave të shfrytëzimit të plazheve private përkon pas ngjarjes së rëndë që ndodhi disa javë më parë në Velipojë, ku për shkak të problemeve me lejet e shfrytëzimit humbën jetën 4 persona.

Nisja e aksionit për kontrollin e kontratave e qirasë së plazheve në pikun e sezonit turistik ka shqetësuar mjaft subjekte që shfrytëzojnë rregullisht prej vitesh hapësirat e plazheve dhe ndaj tyre nuk është dhënë asnjë masë administrative. Bizneset shprehen të shqetësuar për paqartësinë e vendimit, pasi sipas tyre është hera e parë që kontratat e qirave verifikohen nga administrata tatimore dhe nuk dihet nëse kjo do të sjellë plotësimin e kritereve shtesë.

“Ende nuk dimë se cili është qëllimi i verifikimit të kontratave. Prej vitesh ushtrojmë rregullisht veprimtarinë e shfrytëzimit të një stacioni plazhi në bregdetin e Borshit. Shqetësimi ynë lidhet nëse do të kërkohet plotësimi i kritereve shtesë, si nxjerrja e një NIPTI sekondar vetëm për veprimtarinë e plazhit, përveç NIPTIT që kemi për hotelin”, pohon një subjekt në zonën e Borshit.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaruan për Monitor se verifikimi i kontratave të qirasë të miratuara online nga e-Albania ka si qëllimin kontrollin e numrit të çadrave me atë të deklaruar dhe lëshimin e kuponit tatimor. “Në zbatim të Planit të Turizmit janë iniciuar nga risku, lista e tatimpaguesve që kanë aktivitetit stacionet e plazhit. Nga ana jonë verifikohet kontrata apo miratimi nga e-Albania. A korrespondon numri i çadrave me atë të deklaruar me kontratë dhe lëshimi i kuponit”,- sqaroi DPT.

Sipas rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit” përcaktohet se është inspektorati përgjegjës për turizmin, në bashkëpunim me inspektoratet përgjegjëse që verifikon respektimin e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në këtë rregullore nga subjektet që kanë lidhur një kontratë qiraje me organet e vetëqeverisjes vendore. “Inspektorati përgjegjës për turizmin, në përfundim të inspektimit të kryer, njofton për çdo shkelje të konstatuar të rëndë dhe/ose të përsëritur, njësinë e vetëqeverisjes vendore për marrjen e masave të nevojshme, deri në zgjidhjen e menjëhershme të kontratës”, citohet në vendim.

Rregullorja përcakton ndër të tjera se kërkesat e subjekteve të interesuara për shfrytëzimin e plazheve shqyrtohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore e cila merr parasysh plotësimin e kritereve, si: nëse subjekti ka eksperiencë të mëparshme pozitive në ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit dhe/ose veprimtarive të tjera turistike në plazh, për të cilat nuk është dhënë ndonjë masë administrative nga institucionet përkatëse dhe nëse plani i biznesit i përmbush standardet minimale për ruajtjen e bregdetit dhe natyrës, pastrimin e hapësirës së plazhit, sigurisë së pushuesve dhe nëse është i realizueshëm bazuar në buxhetin e parashikuar në planin e biznesit.

Nga pushteti vendor përpara dhënies në përdorim të hapësirës së plazhit për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit, duhet të marrë paraprakisht konfirmimin nga ministria përgjegjëse për turizmin nëse hapësira e plazhit të kërkuar është objekt i ndonjë kërkese sipas ligjit nr. 55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, ose është objekt i ndonjë kërkese për investitorët në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit. Në këtë rast kërkesa e subjektit për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit, dorëzuar pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore, refuzohet.

/Burimi: Monitor.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *