Një muaj më parë ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy u shpall fajtor nga një gjykatë në Paris për financim të paligjshëm të fushatës elektorale të vitit 2012, për rizgjedhjen si presidenti, garë të cilën e humbi.
Asokohe, Sarkozy mohoi akuzat në gjyqin rreth financimit të paligjshëm në fushatën e vitit 2012, ku ai nuk doli fitues. Ish-presidenti, pretendoi se shpenzimet e kryera nuk ishin përgjegjësi e tij.
Prokurorët pretendojnë se partia konservatore e Sarkozy shpenzoi gati dyfishin e 22.5 milionë eurove të lejuara sipas ligjit zgjedhor për fushatat. Për të fshehur koston, ish-presidenti punësoi një agjenci që trajton çështjet e marrëdhënies me publikun. Gjykata ende nuk ka bërë publik dënimin, por prokurorët kanë kërkuar 1 vit burg, gjysmën me kusht.
Ndërkaq sot, Nicolas Sarkozy refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve në gjyqin e ish-bashkëpunëtorëve të tij si dëshmitar. Ata akuzohen për keqpërdorim të fondeve publike për financimin e sondazheve të opinionit publik, raporton theguardian.
“Si President i Republikës, unë nuk po i përgjigjem gjykatës, por popullit francez”, tha Sarkozy.
Sarkozy, i cili ka imunitet presidencial në këtë rast, fillimisht tha se nuk do të paraqitet si dëshmitar pasi u dënua dy herë këtë vit në raste të veçanta.
Gjykata, megjithatë, urdhëroi 66-vjeçarin Sarkozy, i cili ishte president nga viti 2007 deri në 2012, të paraqitej si dëshmitar në një gjyq për sondazhet e opinionit, të cilat u porositën kur ai ishte kreu i shtetit.
Sarkozy e quajti sot urdhrin e gjyqtarit “jokushtetues” dhe “plotësisht joproporcional”.
Pesë ish-bashkëpunëtorë dhe ndihmës të Sarkozyt ndërmjet viteve 2007 dhe 2012, kur ai drejtonte Francën, janë në gjyq me akuzën e favorizimit, komplotit dhe abuzimit të fondeve publike për të lidhur kontrata me kompanitë e sondazhit të opinionit publik me vlerë 7.5 milionë euro.
Sipas Kushtetutës franceze, presidenti ka imunitet për veprimet e kryera gjatë mandatit të tij, por nuk përjashtohet që ai të paraqitet si dëshmitar në gjyq.
/Burimi: The Guardiam/ Përshtati: Priza.al/