Të gjithë afganët që do të vinë në Shqipëri, pritet të kalojnë në skanerin e SHISH dhe antiterrorist shqiptarë.
Eksperiencat e shkuara pohoi i njëjti burim, na kanë mësuar se kriza të tilla humanitare refugjatësh, përdoren nga organizatat terroriste për të infiltruar njerëzit e tyre. “Në tilla kushte ne nuk mund të flemë mbi dafina edhe në rastin konkret”, u shpreh zyrtari i SHISH.
Top Channel mëson se SHISH, Shërbimi Inteligjent i Ushtrisë Shqiptare, Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, bashkë me drejtorinë e Kufirit dhe Emigracionit kanë formuar një grup pune të përbashkët me detyra specifike për këtë rast.
Mësohet se të gjithë afganët që pritet të vinë në vendin tonë, menjëherë pas kontrollove mjekësore dhe testit për Covid 16, do ti nënshtrohen marrjes së shenjave të gishtërinjve dhe fotografimit nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit.
Redion Qirjazi ekspert i çështjeve të sigurisë i pyetur nga Top Channel sa e rrezikon Shqipëria sigurinë kombëtare me sjelljen e mijëra shtetasve afganë dha këtë përgjigje:
“Mendoj se pritja e shtetasve Afganë nuk do të kishte ndikim negativ në sigurinë tonë kombëtare për disa arsye. Këta shtetas janë duke ju larguar një kërcënimi vdekjeprurës dhe një regjimi që me shumë mundësi do ti shtypë dhe persekutojë për përkrahjen apo bashkëpunimin me forcat Aleate në Afganistan, apo qoftë edhe për pikëpamjet demokratike që ata mund të mbartin; rrjedhimisht prioriteti i tyre nuk është të eksportojnë dhunë por të kërkojnë strehim”.
Për sa i përket rrolit të agjencive ligj-zbatuese shqiptare eksperti Qirjazi thotë:
“Ardhja dhe qëndrimi i tyre është i kontrolluar dhe i përkohshëm në vendin tonë – kjo gjë u mundëson institucioneve tona të sigurisë të kenë në mbikëqyrje më të hollësishme veprimtarinë e tyre në vend, në bashkëpunim kjo dhe me partnerët ndërkombëtarë. Personat që pritet të strehohen ne Shqipëri bëjnë pjesë në atë grup që do të konsideroheshin ndër më të moderuarit ideologjikisht, me pikëpamje politike dhe fetare të ngjashme me ato që shumica e besimtarëve në botë i konsiderojnë të drejta”.
Pranimi afganëve thotë Redion Qirjazi për Shqipërinë është rast tipik i asaj që në literaturën e studimeve strategjike ju referohet si “mjellma të zeza” – një ngjarje e paparashikueshme përtej pritshmërive të zakonshme.
/Burimi: Top Channel/