Dosja 184, i referohet çështjes së denoncuar nga Partia Demokratike, në lidhje me shitblerjen e votës në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2016 në Dibër. Pas shkarkimit të Shukri Xhelilit, Dibra zhvilloi zgjedhje ku fitues doli Muharrem Rama i Partisë Socialiste përballë Sherefedin Shehut të Partisë Demokratike. Kjo dojse ka kaluar disa herë për shqyrtim nga Dibra në Tiranë derisa SPAK në fund vendosi t’ia lërë si hetim prokurorisë së Dibrës, e cila dërgoi në gjyq si të pandehur katër ish zyrtarë të policisë dhe njësive administrative.
Gjykata e Dibrës pritej të jepte këtë të enjte vendimin për dy nga katër zytarët e vënë nën akuzë në kaudër të dosjes së bujshme 184, për shitblerjen e votës në zgjedhjet vendore të vitit 2016. Gjykimi ka përfunduar për ish-drejtorin e Arsimit, Drini Gjeci, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve dhe Nuri Medën zyrtar në njësine administrative Tomin, i akuzuar për shpërdorim detyre.
Prokuroria e Dibrës ka kërkuar për të dy dënimin me nga 2.5 vite burg. Por që të dy ish-zyrtarët përfitojnë ulje me 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndaj përfaqësuesi i akuzës kërkon që pjesa e mbetur tu konvertohet në shërbim prove. Dy të akuzuarit do të dilnin para togave të zeza në orën 13:00, por seanca nuk u zhvillua për shkak të mungesës së avokatëve. Në këto kushte vendimi u shty për datë 22 korrik.
Ndërsa Robert Aga, ish shef-komisariati në Dibër, i akuzuar për shpërdorim detyre, dhe Hasan Hoti, funksionar në njësinë administrative Lurë, të akuzuar për kanosje të zgjedhësve, kanë zgjedhur gjykim me procedurë normale. Ndaj çështja e tyre është ndarë dhe seanca e radhës do të mbahet më 12 korrik në Gjykatën e Dibrës.
Pjesë e dosjes së bujshme “184” ishte edhe Dionis Imeraj, ish-kryebashkiak i Dibrës dhe kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit, por çështja ndaj ti u pushua, ashtu si për Imer Lalën, Arben Keshin, Bekim Krashin e Afrim Miklin. Prokuroria ka konstatuar se ata kane kryer veprën penale të shitblerjes së votës, por për shkak të tejkalimit të afatit 3 vjeçar, vepra penale është parashkruar, ndaj nuk mund të merren në përgjegjësi penale.
Në vitin 2019 gazeta gjermane “Bild” publikoi disa nga përgjimet e saj, duke shkaktuar reagime të forta për shkak se protagonistë në to ishin ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste. Dosja u tranferua disa here nga SPAK në Dibër, ndërsa pas katër vitesh më në fund u dërgua në gjykatë.
/Priza.al/