Më në fund Noizy ka thyer heshtjen dhe ka folur lidhur me atë që ka ndodhur mes tij dhe Mozzik. I ftuar në emisionin “Ditë pas Dite” në RTSH, reperi tha se e gjitha ka lidhje vetëm me çështje biznesi dhe moskorrektësi nga ana e Mozzik. Ai po ashtu përjashtoi kategorikisht që Loredana të ishte shkak i kësaj apo tëishte e gjitha marketing. Për çfarë moskorrektësia bëhet fjalë? Këtë nuk e tha.
“Heqja e këngës nuk ishte strategji marketingu. Nuk e di kush e ka bërë e ça ka bërë, por ndoshta ka të bëjë me marrëveshjet që nuk janë respektuar. Korrektësia, nga ana ime nuk ka patur asnjë lloj çalimi, kam qenë korrekt deri në fund dhe në momentin kur ti prish marrëveshjen, ndodhin këto pakënaqësitë. Loredana nuk ka të bëjë fare, është thjesht çështje biznesi ku pala tjetër nuk i ka qëndruar korrekte.” -tha Noizy.
Pak ditë më parë dy reperët fshinë bashkëpunimin muzikor të titulluar “Bonjour Madame”. Kënga ka qenë në kanalin e YouTube të Mozzik dhe ka qenë pikërisht ky i fundit ai që ka vendosur të fshijë projektin e tyre të përbashkët duke konfirmuar atë që përflitet prej kohësh: dy reperët nuk janë më miq. Për më tepër ata kanë fshirë edhe postimet e tyre me njëri- tjetrin në rrjetet sociale.
Sakaq, në rrjet ka patur aludime lidhur me raportin e Noizyt me Loredanën dhe dyshime se mes tyre ka patur diçka më shumë se miqësi dhe bashkëpunim. Madje, Cllevio ka bërë një deklaratë të fortë duke u shprehur para sherrit me Noizyn: “E dini çfarë mësova sot për Loredanën? E ka kapur Noizy. Për shkak të kësaj Noizy s’flet më me Mozzikun”
Pak ditë më parë Loredana sqaroi se me Noizyn se janë njohur nga Blerim Destani dhe kanë një shoqëri të mirë teksa nuk e përjashtoi mundësinë për një tjetër këngë. Para disa javësh reperja tha se ka kërkuar 100 mijë euro për një performancë në festival, por te Noizy tha se do performojë pa lekë. “Na ka bashkuar Blerim Destani. Nuk jemi njohur kurrë më parë. Jemi takuar, jemi kuptuar dhe nuk ka patur asnjë problem. Shoqëria është super prej nesh. Pak më vonë mund të sjellim edhe ndonjë koncert tjetër. Do jem pa lekë absolutisht.”-tha ajo.