Talebanët vranë udhëheqësin e lartë të Shtetit Islamik që organizoi sulmin vetëvrasës të gushtit 2021 jashtë aeroportit të Kabulit nga i cili gjetën vdekjen 13 pjesëtarë të ushtrisë amerikane dhe rreth 170 afganë, thanë zyrtarët amerikanë të martën.
Sulmi me bombë ndodhi më 26 gusht 2021, ndërsa trupat amerikane po përpiqeshin të ndihmonin amerikanët dhe afganët të largoheshin si pasojë e situatës kaotike pas marrjes së pushtetit nga talebanët.
“Ai ishte një zyrtar kyç i ISIS-it i përfshirë drejtpërdrejt në organizimin e operacioneve si ai në Portën Abbey, dhe tani nuk është më në gjendje të komplotojë apo kryejë sulme,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë John Kirby në një deklaratë, duke iu referuar hyrjes Abbey në aeroportin e Kabulit ku ndodhi shpërthimi. Ai nuk e përmendi emrin e zyrtarit.
Lajmi për vrasjen ishte konfirmuar më herët për agjencinë Associated Press nga babai i një marinsi të vrarë gjatë sulmit, i cili u informua të martën nga zyrtarët ushtarakë.
Gjatë fundjavës, ushtria amerikane filloi të informojë familjet e 11 marinsave, marinarit dhe ushtarit të vrarë në shpërthimin në portën Abbey gjatë tërheqjes kaotike amerikane nga Afganistani.
Këta familjarë e ndanë informacionin në një bisedë në një grup privat mesazhesh, sipas mamasë së një marinsi tjetër. Informacioni që familjet i dhanë agjencisë Associated Press u konfirmua nga tre zyrtarë amerikanë dhe një këshilltar i lartë i Kongresit, të cilët folën në kushte anonimiteti për të diskutuar detaje që ende nuk ishin bërë publike.
Udhëheqësi i ISIS-it, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur, u vra në Afganistanin jugor në fillim të prillit, ndërsa talebanët kryen një seri operacionesh kundër grupit të Shtetit Islamik, sipas njërit prej zyrtarëve. Talibanët në atë kohë nuk ishin në dijeni të identitetit të personit që vranë, shtoi zyrtari.
Darin Hoover, babai i togerit Darin Taylor Hoover, tha se zyrtarët e shërbimit të marinsave i dhanë atij vetëm informacion të kufizuar të martën dhe nuk e identifikuan udhëheqësin e Shtetit Islamik dhe as nuk dhanë rrethanat e vdekjes së tij.
Zoti Hoover është një nga pjesëtarët e një grupi prej 12 familjesh të anëtarëve të forcave amerikane që kanë humbur jetën, të cilët janë mbështetur tek njëri-tjetri dhe kanë ndarë informacione përmes grupit të mesazheve që kur ndodhi bombardimi.
Dega afgane e Shtetit Islamik, e njohur si Shteti Islamik Khorasan ose ISIS-K, sipas një emri të vjetër të rajonit, është armik i talebanëve. Luftëtarët besnikë të Shtetit Islamik u shfaqën fillimisht në Afganistanin lindor në vitin 2014 dhe më vonë depërtuan në zona të tjera./VOA