Një shtetas ka rënë në prangat e policisë Korçë. Bëhet me dije se shtetasi me iniciale B.A, banues në Korçë në gjendje të dehur ka përplasur me makinë shtetasin me iniciale B.H.
Sakaq, policia bën me dije se 42 vjeçari në gjendje të dehur ka drejtuar makinën e tipit “Volkswagen”, dhe për pasojë i ka shkaktuar dëme materiale shtetasit tjetër. 42 vjeçari mbas ngjarjes është larguar nga vendngjarja.
Njoftimi i Policisë:
Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” të shtetasit D. T., 34 vjeç, banues në Korçë, pasi në bulevard “Republika” Korçë, ky shtetas duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Lancia”, ka përplasur mjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin R. Q., duke i shkaktuar dëme materiale.
Po nga këto struktura, u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit” i shtetasit B. A., 42 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 16, Korçë, ky shtetas duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Volksëagen”, ka përplasur mjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin B. H., duke i shkaktuar dëme materiale dhe u largua nga vendngjarja, por më pas u ndalua nga shërbimet e policisë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, filluan procedimin penal për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve” për shtetasin E. T., 34 vjeç, banues në fshatin Velçan, Pogradec, pasi në rrugën Velçan-Golik, ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e policisë duke transportuar me mjetin furgon tip “Benz”, 6 m3 dru zjarri, pa leje.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.