Gjatë Konferencës së Kryetarëve të drejtuar nga Gramoz Ruçi është vendosur ditën e sotme data dhe ora kur do të votohet në Kuvend raporti për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Seanca do të zhvillohet ditën e mërkurë, më datë 9 qershor, në orën 10:00.
Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur nga socialistët miratoi raportin për shkarkimin e Metës. Gjatë këtyre javëve ky komision ka mbledhur prova dhe fakte që sipas tij, vërtetonin shkeljet e Presidentit, dhe që ishin kryesisht deklarata të bëra nga ky i fundit në media apo në rrjetet sociale.
Data 10 qershor do i gjejë deputetet e Kuvendit shqiptar në një situatë të paprecedentë, ku për herë të parë në 30 vite, një parlament do të votojë për të shkarkuar një President Republike. Po sa vota i duhen socialisteve, për te ndërmarrë këtë hap?
Sipas nenit 88 të Kushtetutës, kërkohet që shkarkimi i Presidentit të Republikës të marrë jo me pak 94 vota ose 2/3 e të gjithë deputeteve. Por këto vota të Partisë Socialiste nuk i ka vetë dhe do të duhet të mbështetet dhe nga deputete të tjerë. Gjithsesi faktet kanë treguar se kur mazhorancës në këtë legjislaturë i janë dashur vota në nivele të tilla, ajo i ka gjetur, si në rastin e ndryshimit të Kushtetutës vitin që shkoi.
Kuvendi i Shqipërisë, pas djegies së mandateve nga demokratet dhe LSI, dhe me zëvendësimin e tyre më të pabindurit e të dyja kampeve, ka aktualisht 122 deputetë. Por cilët nga këta 122 deputetë mund të votojnë kundër shkarkimit të Presidentit?
Potencialisht ata janë Lefter Maliqi, i cili kandidoi në zgjedhjet e fundit nën siglën e LSI, Elda Hoti, Artur Roshi, Korab Lita, kandiduan në 25 prill, si pjesë e listave të demokratëve. Gjithashtu dhe Gjetan Gjetani, i cili u largua nga PS, dhe iu bashkua LSI-së.
Nëse ndodh ky skenar, i bie që në dispozicion te socialisteve te jene 117 vota, për shkarkimin e Metës dhe duke marrë në konsideratë edhe disa vota abstenim apo kundër, PS nuk rrezikon të sigurojë votat e nevojshme për shkarkim të Presidentit. Megjithatë rezultati votimi i fshehtë, mbetet i hapur.
Seanca e 10 qershorit dhe votimi që do të rrjedhe prej saj, do të lërë topin në fushën e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur nëse gjetjet e Parlamentit, për shkelje të Kushtetues nga Ilir Meta, janë të bazuara apo jo?
Një tjetër vendim i Kushtetueses është edhe nëse këtë çështje do e cilësoje prioritare dhe do e shqyrtojë jashtë radhe, apo do vendoset në radhe pritjeje, bashkë me 180 çështje të tjera që pritet të gjykohen.