Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu do të shkarkohet nga detyra. Lajmin e kanë bërë të ditur burime për Priza.al, të cilat shtojnë detaje duke thënë se është e mundshme që vendin e tij ta zërë Gledis Nano.
Shkarkimi i Veliut, vjen pas një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, ku më e forta ishte vrasja e një efektivi policie në Lezhë, ndërsa Veliu u shkarkua pas afatit 100 ditor që kishte vendosur kryeministri Edi Rama.
Në një takim me përfaqësues të Policisë së Shtetit, Rama la 100 ditë afat për të riorganizuar të gjithë strukturën të organizatës dhe vendosur prioritete të qarta.
Kryeministri kërkoi që punonjësit e policisë të përfshirë në afera korruptive, ryshfeti dhe ata oficerë që “luajnë me dy porta”, të largohen nga radhët e uniformave blu dhe të dalin përpara përgjegjësisë penale.
Ndërsa rreth dy muaj më parë, në emër të Qeverisë Amerikane, ambasadorja Yuri Kim i dorëzoi Gledis Nano, Drejtorit të Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit një certifikatë vlerësimi për kontributin e dhënë në luftën kundër terrorizmit global.
A mos ndoshta si në shumë ngjarje ‘bombastike’ të ndodhura së fundmi në Shqipëri, edhe këtu ka ‘gisht’ Amerika. SHBA-të bënë lëvizje të forta në politikën e vendit këtë vit siç ishte shpallja e ish-kryeministrit Sali Berisha, ‘non-grata’. Edhe përjashtimi i Berishës nga grupi parlamentar i PD-së supozohet të ketë ardhur nga SHBA-ja ndërsa ky duhet të jetë guri tjetër i ‘shahut’ që SHBA-ja po lëviz për të zhdukur korrupsionin e për të amerikanizuar Shqipërinë.
/Priza.al/