Shkarkohet nga detyra prokurori Shkëlqim Kokona! Refuzonte të merrte në dorëzim dosjet

Me votë unanime, KLP vendosi të pranojë kërkesën e ILD për dhënien e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” për prokurorin Shkëlqim Kokona, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

Me datë 13 dhjetor ILD kishte kërkuar shkarkimin nga detyra të prokurorit të Pogradecit,  Shkëlqim Kokona për shkelje të rënda profesionale “që diskretitojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës”.

Sipas ILD, pas 3 viteve hetime, të kryera në periudhën 2018-2021, rezultoi se Kokona  refuzuar në mënyrë të përsëritur mosmarrjen në dorëzim të dosjeve si dhe nuk ka marrë pjesë në seanca gjyqësore duke shkaktuar shtyrje të gjykimit.

Po ashtu Kokona ka shkuar edhe më larg me kompetencat e tij, ku ka kryer përfundim të çështjeve me vendim si prokuror, pa proceduar me kalimin e tyre me kërkesë në gjykatë. Sipas ILD, në 28 raste në periudhën 2019-2021, ai nuk ka nxjerrë urdhrat për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të dënimit me burgim për të cilat është aplikuar pezullimi i ekzekutimit me kusht.

Kokona ka patur edhe shkelje të përsëritur dhe të rëndë të rregullave të solemnitetit, rregullave të mirësjelljes në marrëdhëniet me palët, me drejtuesit e prokurorisë, me gjyqtarët, me oficerë të policisë gjyqësore, si dhe me personelin e administratës së prokurorisë dhe të gjykatës.

Sipas ILD, shkeljet disiplinore nga ana e magjistratit me eksperiencë prej 28 vitesh në punë janë kryer me dashje direkte dhe se sjellja e tij ka çuar në shkelje të rënda profesionale dhe diskretitim të pozitës dhe figurës së prokurorit, si dhe kanë cenuar besimin e publikut te drejtësia.

Kujtojmë se Kokona, në tetor të vitit të kaluar u përfshi edhe në një komunikim joetik duke kërcënuar një gazetar teksa interesohej për të publikuar një lajm në lidhje me një proces që ndiqej nga ai.

Ndërkaq, Kokona ishte mbrojtur nga akuzat duke u shprehur se akuzat ndaj tij janë bërë me qëllim pasi ka arrestuar në tre muajt e fundit një person, i cili bashkëpunon me avokatin Përparim Sanxhaku, që sipas prokurorit ky i fundit ka “klanin” e tij në Pogradec.

Kokona shton se ka besim te Prokurori i Përgjithshëm dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë ndërsa thekson se materiali kundër tij nuk është lexuar nga Olsjan Çela për shkak të ngarkesës në punë.

“Figura ime, jam prej 40 vitesh jurist që i shërben shtetit shqiptar dhe jam në vitin e fundit për pension pleqërie.

Prej 5 vitesh,  për shkak të dy të sëmurëve mendor, ish-presidentit dhe ish-prokurorit të përgjithshëm, njëri prej tyre me diagnozë epileptike ose iditosi i surgjynosur në Pogradec. Inkurajoj Prokurorin e Përgjithshëm në kryerjen e detyrës me ekzigjencë për rastin tim. Me bindje them se materialin e ka firmosur pa e lexuar fare për shkak të ngarkesës së punë që ka.

E gjitha është aferë kriminale e prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme që ka përgatitur materialin dhe Venusit të Sigurimit të Shtetit dhe aktualisht anëtar i KLP dhe avokatit, mikut tim Përparim Sanxhaku. Ky person është kreu i krimit të organizuar në drejtësi.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *