Gjyqtarja Anita Mici është shkarkuar përfundimisht nga detyra. Vendimi u mor nga Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Mici ka liruar me kusht në vitin 2016 Lulzim Berishën, i njohur ndryshe si ish-kreu i Bandës së Durrësit.
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 7/2021, datë 28.01.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 287, datë 04.08.2020, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Anita Mici.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
- Ndryshimin e vendimit nr. 287, datë 04.08.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Anita Mici.
- Ky vendim është përfundimtar dhe me efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 23.02.2023.