Shkatërrohet banda me shqiptarë dhe italianë, arrestohen 20 persona në Spanjë

20 persona janë arrestuar nga një hetim i përbashkët i mbështetur nga Europol, pasi dyshohen për pastrim parash dhe trafikant droge.

Operacioni i drejtuar nga ‘Guardia Civil’ solli sekuestrimin e më shumë se 5.5 milionë euro asete kriminale dhe mbi 2 ton drogë. Me qendër në jug të Spanjës, rrjeti kriminal përbëhej nga shtetas shqiptarë, italianë, spanjollë dhe marokenë dhe drejtohej nga shtetas italianë që shmangnin kapjen duke përdorur dokumente të falsifikuara identiteti.

Gjatë operacionit janë kontrolluar 6 shtëpi në Sevilje të Spanjës, ndërsa janë sekuestruar 2 ora luksoze dhe 16 545 euro cash. Po ashtu u sekuestruan 2500 kilogramë hashash dhe 45.6 kilogramë marijuanë dhe infrastruktura kriminale që përfshinin kamionë, një varkë, mjete për kultivimin e marijuanës dhe prodhimin e hashashit dhe 34 telefona celularë.

Duke qenë se drejtuesit italianë të rrjetit kriminal ishin subjekt i urdhrave evropianë të arrestit, ata përdorën dokumente të falsifikuara për të mbajtur të fshehtë identitetin e tyre. Duke banuar midis Seviljes dhe Malagës, ata u përpoqën të shmangnin zbulimin duke marrë masa të ndryshme sigurie dhe duke ndryshuar shpesh adresat e tyre.

Sipas Europol, rrjeti kriminal përdori një sërë metodash të pastrimit të parave për të errësuar të ardhurat e tyre nga trafiku i drogës. Këto përfshinin kanalizimin e parave përmes llogarive bankare të biznesit duke përdorur fatura false, kredi ose borxhe të tjera midis një rrjeti kompanish të përfshira në transportin e drogës. Metoda të tjera të përdorura ishin investimet në pasuri të paluajtshme luksoze, qira, mallra dhe automjete luksoze, si dhe pagesa me para në dorë.

Hetimet për këtë rast nisën në tetor të vitit 2021, kur një ngarkesë hashashi u gjet e fshehur në një kamion që transportonte paleta me qepë. Forcat e rendit arrestuan dy drejtuesit e mjeteve dhe sekuestruan 468 kilogramë hashash. Kjo u pasua nga një tjetër sekuestrim të 194 kilogramëve hashash në maj të vitit 2022. Në të njëjtin muaj një varkë e marrë me qira nga organizata kriminale u kap nga forcat e rendit në det të hapur, duke rezultuar në arrestimin e tre personave në bord, që solli dhe sekuestrimin e 1800 kilogramëve kanabis.

Përgjimi i kësaj dërgese të madhe nga Maroku tregon se është bërë gjithnjë e më e vështirë për kriminelët që të importojnë drogë përmes detit. Për të anashkaluar këtë çështje, organizata kishte ndërtuar një laborator për prodhimin e hashashit dhe kishte ngritur një plantacion të madh marijuhane në Spanjën jugore.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *