Njëzet e pesë persona janë arrestuar në aksion në të gjithë Gjermaninë, të dyshuar për komplot për të rrëzuar qeverinë.
Grupi i figurave të ekstremit të djathtë dhe ish-ushtarak thuhet se janë përgatitur për “Ditën X” për të sulmuar ndërtesën e parlamentit të Reichstag dhe për të marrë pushtetin.
Një burrë i quajtur Heinrich XIII, nga një familje e vjetër aristokrate, supozohet se ka qenë qendror në planet e tyre.
Sipas prokurorëve federalë, ai është një nga dy drejtuesit e dyshuar në mesin e të arrestuarve në 11 shtete gjermane.
Komplotuesit thuhet se përfshijnë anëtarë të lëvizjes ekstremiste Reichsbürger (Qytetarët e Rajhut), e cila ka qenë prej kohësh në vështrimin e policisë gjermane për sulme të dhunshme dhe teori konspirative raciste dhe antisemitike. Ata gjithashtu refuzojnë të njohin shtetin modern gjerman.
Të dyshuar të tjerë erdhën nga lëvizja QAnon të cilët besojnë se vendi i tyre është në duart e një “shteti të thellë” mitik që përfshin fuqi sekrete që tërheqin fijet politike.
Ministrja e Brendshme Nancy Faeser siguroi gjermanët se autoritetet do të përgjigjen me forcën e plotë të ligjit “kundër armiqve të demokracisë”. Komplotistët përgatiteshin të vrisnin për qëllimet e tyre
Rreth 50 burra dhe gra dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit, që thuhet se kanë komplotuar për të përmbysur republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së 1871 – një perandori e quajtur Rajhu i Dytë.
“Ne nuk kemi ende një emër për këtë grup”, tha një zëdhënëse e zyrës së prokurorit federal. Ministri i Brendshëm tha se me sa duket ishte i përbërë nga një “këshill” organizativ dhe një krah ushtarak.
Bastisjet e së mërkurës po përshkruhen si një nga operacionet më të mëdha kundër ekstremizmit në historinë moderne gjermane. Tre mijë oficerë morën pjesë në 150 operacione në 11 nga 16 shtetet e Gjermanisë, me dy persona të arrestuar në Austri dhe Itali. Pothuajse gjysma e arrestimeve u kryen në shtetet jugore të Baden-Ëürttemberg dhe Bavarisë.