Një bandë që shiste lëndë narkotikë gjatë periudhës së Covid-19 është shkatërruar nga policia italiane, ku dyshohen të jenë përfshirë 10 shqiptarë.
Autoritet italiane kanë arritur të arrestonin gjashtë persona dhe kanë sekuestruar mbi 2 kg kokainë, ndërsa njëri nga të dyshuarit për t’iu shmangur kontrolleve ka sjellë me vete edhe djalin e tij të mitur.
Në hetim janë përfshirë 21 individë, nga të cilët 10 janë shqiptarë, 9 italianë, 1 maroken dhe 1 anglez. Gjashtë të prangosurit janë në paraburgim, ndërsa tre janë në kërkim. Operacioni i drejtuar nga zv/prokurorja Claudia Moregola dhe zv/prokurorja Claudia Passalacqua filloi në nëntor 2019 dhe përfundoi në mars 2021.
Grupi i trafikantëve shqiptarë të drogës, me mbështetjen e subjekteve italiane, u shisnin kokainë klientëve dhe shpërndarësve të drogërave në provincën Brescia, pavarësisht kufizimeve përgjatë pandemisë. Midis tyre ishin dy vëllezër.
Tregtarët e drogës merrnin porositë e kokainës të kërkuara nga konsumatorët në një qendër telefonike dhe i shpërndanin lëndët narkotikë afër një parkingu në një qendër tregtare, ose me raste dhe në vetë shtëpinë e klientëve.