Dallëndyshe Bici, drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës denoncohet për shkelje të ligjit Zgjedhor.
“Qëndresa Qytetare” deklaron se Bici në kundërshtim të hapur me ligjin ka marrë pjesë më 16 Prill në një takim elektoral në fshatin Fshat të Bashkisë Kukës, në mbështetje të kandidatit socialist Safet Gjici, takim që u zhvillua në ambientet e një shkolle, gjë që gjithashtu ndalohet nga ligji.
“Zonja Dallëndyshe Bici ka bërë thirrje për mbështetje të kandidatit të PS duke u shprehur ‘kam ardhur këtu me bekimin e kryeministrit për të mbështetur njeriun e punës’. Janë përdorur të gjitha sloganet, takim i qartë elektoral”, u shpreh ai.
Përfaqësuesja e Agjencisë së Kadastrës u përpoq të justifikonte eproren e saj, duke thënë se ishte e ftuar dhe më pas u përpoq t’i vishte denoncimit aspekte personale, pretendime që u hodhën poshtë.
“Nuk i di raportet personale që ka zotëria në bazë të gjykimit të vet, por nuk mund të gjykojmë zonjën që ka bërë një vizitë në qytetin e saj dhe rastësisht qëllon një aktivitet i organizuar, dhe ajo merr pjesë”, u shpreh ajo.
“Zotëria foli si qëndron në raport me ligjin sjellja e drejtueses, nuk mendoj se kishte diçka personale”, u shpreh Ilirian Celibashi.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve deklaroi se vendimi për denoncimin do të merret në një mbledhje të dytë.