Ditën e sotme media “Voxnews.al” publikoi një investigim ku sipas dokumenteve të publikuar, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i ka dhënë një tender të dyshimtë kompanisë “FUSHA shpk”. Që të shpallej fituese kompania e oligarkut, FSHZ me në krye Dritan Agollin skualifikuan nga gara tre kompani të tjera.
Duket se Agolli i ka bërë një “sfidë” të hapur SPAK-ut, pasi nga 4 firma në garë, ai ka skualifikuar 3 që kanë ofruar më pak dhe ka shpallur fituese firmën me afertën më të lartë.
Një guxim i tepruar i këtij titullari, i cili tashmë po vepron “hapur” edhe me dokumente!
Dokumenti i mësipërm është shpallja e njoftimit të fituesit të një procedure prokurimi. Fondi ka shpallur fituese firmën “Fusha”, në tenderin me objekt “ndërhyrje në zona sportive dhe lodra për fëmijë ‘Dua të luaj’ faza II”, me një kohëzgjatje të kontratës 24 muaj. Kriteret e përzgjedhjes së fituesve ishin oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në kosto.
“Me anë të këtij formulari, ju informojmë se, në këtë procedurë kanë marrë pjesë operatorët ekonomikë me vlerat përkatëse si më poshtë. ‘FUSHA’ me një vlerë 530.987.260 lekë pa TVSH.
‘ZDRAVA’ & ‘ERAL CONSTRUCTION’ & ‘BESTA’ mevlerë 414.993.101 lekë pa tvsh, e skualifikuar. BOE ‘INERTI’ & ‘ED KONSTRUKSION’ me vlerë 401.031.655 lekë pa tvsh, skualifikuar.
Oferta e ‘BE – IS’ me vlerë 530.091.298 lekë skualifikuar” thuhet në këto dokumente. Pra, nga 4 firma në garë, 3 u skualifikuan dhe oferta më e lartë ajo e firmës “FUSHA” u shpall edhe fituese!
Kaq është fabula e miliona eurove që po I bëhen qokë kompanisë FUSHA nga Dritan Agolli.
Por priza.al hulumtoi pak më thellë jo vetëm rreth këtij tenderi tashmë të kryer si qokë, por rreth mardhënies FUSHA-FSHZ dhe FUSHA-DRITAN AGOLLI.
Kështu sipas të dhënave publike na rezulton se kompania FUSHA pa llogaritur këtë tenderin e fundit ka marrë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit 16 tendera të ndryshëm me vlerë rreth 50-55 milionë euro.
Kjo mardhënie kaq e frytshme midis kompanisë FUSHA dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit duket se ka avancuar më tej. Nga mardhënia institucionale ka lindur një mardhënie e fortë miqësore mes Shkëlqim Fushës dhe Dritan Agollit.
Dhjetra metra tokë dhuratë Agollit nga Fusha?
Sipas të dhënave të siguruara nga priza.al Shkëlqim Fusha përveç se i njohur për fitimin e dhjetra milionë eurove nga buxheti i shtetit, është i njohur edhe si pronar i miliona metrave katrorë toka në zonën e Lundrës, Farkës si dhe fshatrave përreth. Një pjesë të tokave i ka dhënë për ndërtim e një pjesë tjetër ende të pa zhvilluara. Një nga tokat e Shkëlqim Fushës dhe familjarëve të tij, është buzë autostradës lindore të Tiranës, ngjitur me terminalin e autobusëve të juglindjes. Ose ndryshe, tek rrethrretullimi i TEG. Këtë tokë, një pjesë familja Fusha e dha për ndërtim dhe kompania “Halisof shpk” ndërtoi kompleksin “Sofia Hill Residence”.
Sofia Hill Residence është kufitare me një truall të rrethuar me mur ndarës, dhe nga ana e kompleksit ka një dalje tjetër. Pra ky truall bosh, i rrethuar është vijim i të njëjtit truall ku është ndërtuar Sofia Hill. Pronë e familjes Fusha. Por ky truall sipas burimeve tona është në pronësi të Dritan Agollit.
Prej 4 vitesh, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, është pronar i tokës truall zonë për ndërtim, e cila ka qënë e familjes Fusha. Redaksia e priza.al duke mos dashur të aludojë që 55 milionë euro tendera të marra tek Dritan Agolli i FSHZH, Shkëlqim Fusha i “lau” duke i falur Agollit një copë toke që vlen miliona euro, shtrojmë publikisht pyetjet e mëposhtme:
1- E kujt është toka e rrethuar në foto, ngjitur me Sofia Hill Residence?
2- Dritan Agolli apo familjarë të tij, e blenë apo e morën dhuratë?
3- A është deklaruar në ILDKPI nga ana e Dritan Agollit?
4- Çfarë transfertash apo mardhëniesh të tjera pronësie janë ndërtuar mes Shkëlqim Fushës dhe Dritan Agollit?
Priza.al nuk pret që të marrë përgjigje për këto pyetje publike, por duke qënë se përgjigjet ne i disponojmë të plota, po i japim mundësi palëve të japin variantin e tyre, nëse kanë. E nëse jo, është detyra jonë t’i publikojmë ditë pas dite.
Vijon…
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016