Edhe durimi e ka një kufij dhe shqiptarët dinë ta tregojnë mirë kur e humbin atë… Këtë mesditë ka pasur edhe një përplasje verbale mes pasagjerëve shqiptarë dhe autoriteteve të aeroportit “Malpensa” në Milano.
Udhëtarët shqiptarë kanë mbetur të bllokuar në këtë aeroport ndërkombëtar (më i madhi i Italisë), që prej mbrëmjes së djeshme.
Mësohet se më shumë se 275 pasagjerë presin në aeroport, ndërkohë që duhet të ishin nisur për në Shqipëri, që në orën 7 të mbrëmjes së djeshme.
Nga pamjet e publikuara në rrjet, duket qartë se situata ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa një prej punonjësve i propozon që t’u prenontojë një hotel, por përgjigjen e merr shumë shkurt.
“Shko more q***u! Shko ti në hotel!”,- dëgjohet në video, ndërsa udhëtarët kërkojnë që të nisen menjëherë për në Shqipëri, ashtu siç edhe kishin planin.
Ndërkohë, nuk ka ende asnjë detaj se përse fluturimi është shtyrë për kaq shumë orë.
Nga sa është mësuar më tej, për rreth 275 pasagjerët që kishin rezervuar të udhëtonin drejt Tiranës me linjën “Wizzair”, ata do të udhëtojnë mbrëmjen e sotme drejt Shqipërisë.
Burime për mediat bëjnë të ditur se, pasagjerët do të nisen nga Milano në orën 19.45, ndërsa avioni pritet që të ulet në Rinas në 21:40.
Kujtojmë se, qytetarë të shumtë shprehën shqetësimin e tyre për këtë situatë, ndërsa pohuan se iu ishte anuluar pa asnjë sqarim udhëtimi që ishte parashikuar në mbrëmje nga Milano drejt Tiranës. Ata ishin bllokuar nga stafi në një dhomë pritje pranë check-in, ndërsa mes pasagjerëve ka edhe fëmijë të mitur.
/Priza.al/