24-vjeçari Isak Mehmedaj u raportua i plagosur një ditë më parë në fshatin Mushan të Shkodrës nga persona të paidentifikuar, por e vërteta është ndryshe. Pas hetimeve të disa orëve të Policisë së Shkodrës është zbardhur se Mehmedaj është vetëplagosur aksidentalisht.
Sipas ‘bluve’ të Shkodrës, Mehmedaj në bashkëpunim me mikun e tij Gledis Mlloja, 20 vjeç, kanë fshehur vendin e ngjarjes, kanë inskenuar një variant ndryshe të ngjarjes, duke u përpjekur të ndryshojnë tërësisht rrethanat e saj, si dhe kanë fshehur provat materiale.
Pas përfundimit të hetimeve, policia ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë shtetasi Isak Mehmedajt, i cili është jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Ai akuzohet për prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit, si dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, e kryer në bashkëpunim. Po ashtu, për veprën e fundit penale është arrestuar në flagrancë edhe miku i tij, Gledis Mlloja, i cili e ka ndihmuar për fshehjen e ngjarjes.
Pas ngjarjes, para grupit hetimor, 24-vjeçari Isak Mehmedaj deklaroi se ka qenë duke hedhur mbeturinat, kur është qëlluar me armë nga një distancë e largët, ndërsa është shprehur se nuk e dinte kush mund ta ketë qëlluar pasi nuk ka mundur ta shohë autorin. Megjithatë, skenari i tij për fshehjen e rrethanave të ngjarjes nuk ka zgjatur më shumë se 24 orë.
Njoftimi i Plotë Shkodër: U plagos aksidentalisht me armë zjarri dhe deklaroi se e kishin plagosur disa persona të panjohur, Policia zbardh ngjarjen dhe vë në pranga 24-vjeçarin. Në pranga edhe një 20-vjeçar i cili së bashku me 24-vjeçarin fshehën dhe tjetërsuan të vërtetën. Në vijim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e datës 9 tetor 2021, ku në spitalin rajonal shkodër u paraqit për ndihmë mjekësore, i plagosur me armë zjarri 24 vjeçari, I.M, i cili deklaroi se ishte plagosur me armë zjarri në fshatin Mushan, Shkodër, nga disa persona të paidentifikuara, nga hetimet e thelluara rezultoi se:
Shtetasi I.M., është vetëplagosur në mënyrë aksidentale, me armë zjarri në bark, jashtë rrezikut per jetën. Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin G. M., kanë fshehur vendin e ngjarjes, kanë inskenuar një variant ndryshe të ngjarjes, duke u përpjekur të ndryshojnë tërësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe kanë fshehur provat materiale. Në përfundim të veprimeve hetimore, është arrestuar në flagrancë shtetasi Isak Mehmedaj 24 vjeç, banues ne fshatin Mushan Shkoder, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u arrestua në flagracë dhe shtetasi G. M., 20 vjeç, banues në fshatin Mushan, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.