Shkodra, “Vaterloja” e zgjedhjeve të 25 prillit!

Nga Nikoleta Kovaçi

Fushatat zgjedhore në vendin tonë prej dekadash janë kthyer në beteja të rrezikshme, jo vetëm politike! Tentativa për marrje dhe mbajtje pushteti me çdo kusht, ka çuar në përplasje të forta mes palëve e për pasojë, ndër vite, bashkë me partitë politike janë fuqizuar, në këtë përplasje, edhe grupet kriminale.
Që nga `97-a e largët, kohë kur këto grupe vendosën fatin politik të vendit, grupe që në përbërje të tyre patën jo vetëm elementë të mbartur nga sistemi monist, por edhe të ‘rilindur’ nën nevojën e rimarrjes së pushtetit, zgjedhjet në vendin tonë ‘kërkojnë’ gjak! Pajisja me imunitet i të ‘fortëve’ ka hapur rrugën e përfshirjes së tyre në politikë e për pasojë dominimi i tyre gjithë ka pësuar rritje për shkak të nivelit gjithnjë në rënie të ekonomisë së qytetarëve-votues.
Në çdo palë zgjedhje është e pamundur të mos ketë terror, dhunë dhe eliminime fizike personash që kanë të shkuar kriminale, e shkuar që në fakt lidhet me shërbimin dhe bashkëpunimin me këta të fortë me imunitet. Edhe pse të gjithë i dinë zonat e ‘nxehta’, ato që gjenerojnë bastione të paprekshme, e për pasojë aty ngulen edhe thonjtë e të fuqishmëve, kryesisht me fuqi ekonomike dhe kriminale.

Kësaj here duket se radhën e ka Shkodra!

Qyteti verior, bastion historik i së djathtës, ka precipituar në një situatë thuajse të paimagjinueshme me përfshirjen në të të grupimeve të forta politike. Duke parë zhvillimet e kohëve të fundit, shihet qartë që këto grupime gjenerojnë jo vetëm dominancë elektorale por pas vetes kanë ngritur ushtri me anë të të cilave kërkojnë me çdo kusht marrjen e mandateve që iu duhen në këtë qark.
Të gjithë e kanë parë dhe e shohin çdo ditë batërdinë që bëhet në emër të këtij dominimi; grupe të ‘fortësh’ që lëvizin nëpër çdo skutë të qarkut me makina luksoze me xhama të zinj, kërcënime për heqje nga puna, përvetësim kartash identiteti e deri në shpërndarje zarfesh me para derë më derë. Po ashtu këto grupe, duke shfrytëzuar heshtjen e policisë, frikën e qytetarëve që gjenden të pambrojtur nga asnjë mekanizëm shtetëror, duket se janë garanti i grupimeve politike që i kanë pas vetes. Kështu është vepruar më herët edhe në Lezhë, në Vlorë, Elbasan, Durrës e Tiranë.

Tani radhën e ka Shkodra!

Trazimi i ‘ujërave’ ka kohë që ka nisur! Konkretizimi erdhi me atentatin e bujshëm të së Dielës së Pashkëve ku në pritë vritet Bardhok Pllanaj. Një emër i njohur prej shumë vitesh në vendin tonë; i shtyrë nga trafiku i drogës dhe i fryrë nga media! Nëse me të parën qytetari shqiptar bëhet i fuqishëm ekonomikisht dhe i pranishëm politikisht (pra në politikën tonë me prirje dallkaukësh), në të dytën, çdo kush bëhet i njohur dhe ngrihet në piedestal sa hap e mbyll sytë. Dhe për fatin tonë të pafat, njerëz të paduhur fitojnë një njohje publike që ngjan me imunitetin e të ashtuquajturve të paprekshëm. Kemi parë shpesh që njerëz të tillë gjenden deri në kupolën e shtetit, në qeveri, parlament, drejtori e kudo, pasi kriteret e vendosura ndër vite ua mundësojnë ngritjen. Kështu ndodhi edhe me emrin e të ndjerit, i cili u bë i njohur nga një operacion anti-droge rreth 7 vite më parë, kohë kur për të lëvizur skafe, gomone, trajlera dhe kamionë të ngarkuar me lëndë narkotike urdhëroheshin uljet e radarëve. Në thuajse çdo fshat të drogës uleshin avionë të vegjël. Madje lëvizjet e këtyre mjeteve fluturuese, që ngarkoheshin orëve të mëngjeseve, kryesisht të dielave, ishin aq të programuara sa asnjë kompani fluturimi nuk ishte dhe është më e saktë në përcaktimin e korridoreve të fluturimeve.

Por si askujt tjetër, emri i Bardhok Pllanajt u kthye në proverbialitet duke bërë që të jetë në qendër të vëmendjes për shkak se policia teksa e kërkonte e ‘zbuloi’ në mjetin e një deputeti. Ekzekutimi barbar i tij me mbi 30 plumba në trup, ditën e shenjtë ku ndalohet çdo lloj gjakderdhjeje, tregoi se përveç të tjerave atentatorët e patën gjithë kohën e duhur të ndërronin karikatorë të njëpasnjëshëm në armët e tyre kallashnikov dhe të shtinin mbi të. Po policia ku ishte? Apo duke vënë gjoba për maskat? Duke ndëshkuar të pamundurit që i zë ‘ora policore’ në rrugë pa shkuar në shtëpi; duke ndjekur ndonjë qytetar që do të rregullojë një kotec pulash, po nuk ka leje dhe as projekt nga studiot e arkitektëve që sajojnë bashkitë dhe qeveria e këtij vendi?!
Ekzekutorët derdhën mbi 100 plumba, aq sa shkodranët menduan se ishin fishekzjarrë për festën e Pashkëve, u larguan qetësisht, dogjën makinën, ua lanë armët në mjetin e djegur pa pasur frikën e zbulimit nëpërmjet tyre dhe më pas ikën drejt “drejtimit të paditur”! Dhe sërish në pah doli vetëm emri i tij, historitë me të djeshme, por pamundur askush të artikulojë, në fakt, se çfarë po ndodh realisht në “Vaterlonë” e këtyre zgjedhjeve?!

/Burimi: Facebook/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *