Detaje të reja kanë dalë në dritë nga zhdukja e 26-vjeçarit i cili kishte dalë për të mbledhur boronica dhe nuk ishte kthyer më në shtëpinë e tij. Familjarët e të riut kanë bërë një apel për ndihmë drejtuar autoriteteve. Ata kërkojnë që të bëhet një ndërhyrje me dron apo helikopter dhe rasti të merret në përparësi si të ishte djali i ndonjë deputeti.
Meledin Adili nga fshati Borje, doli si çdo ditë për të mbledhur boronica në Bjeshkë, por pa u kthyer më. Që prej ditës së djeshme, ai është raportuar i zhdukur nga familjarët dhe pavarësisht kërkimeve të këtyre të fundit, ai nuk është gjendur.
Mjegulla, terreni i vështirë me shkëmbinj e humnera e bën shumë të vështirë operacionin e kërkim shpëtimit. Vullnet Beluli, i afërm i 26-vjeçarit ka bërë një apel drithërues për ndihmë. Ai kërkon ndërhyrjen e autoriteteve me dron, helikopter ose qen kufiri, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të rënë në gjurmët e të riut. Ai iu përgjërohet autoriteteve që ta marrin me përparësi rastin, e të kenë të njëjtin reagim si të kishte humbur djali i një deputeti.
“Ju lutem ju përgjërohem, se është një djalë i ri 26-vjeç, llogariteni sikur është fëmija e një deputeti, edhe pse ne jemi fukarenj dhe dilnim dhe mbledhim boronica”, ishte apeli i tij në Report Tv.
Kërkimet janë përqendruar në një fshat të Kosovës, që quhet Brod, në Bjeshkët e Brodit, ku në ndihmë të familjarëve kanë shkuar edhe banorë të fshatit.
“Kemi ardhur në fshat të Kosovës, quhet Brod, bashkë me fshatarët e Brodit, na kanë ardhur në ndihmë, kemi vazhduar kërkimet. Kemi zbritur në fshat të lodhur. Gjysma e kërkuesve, nga 100. 50 kanë zbritur, akoma vazhdojnë kërkimet”, u shpreh Beluli.
Ndonëse Policia në njoftimin zyrtar thotë se kanë shkuar në vendngjarje dhe në bashkëpunim me Policinë Kufitare po vijojnë kërkimet, familjari thotë se nuk kanë pasur asnjë kontakt me ta, teksa këmbëngul se kërkimet duhet të bëhen nga ajri.
“Policinë tonë akoma nuk e kemi parë, policia e Kosovës, ka ndërhyrë por, nuk mund të ndërhyhet me makinë, nga fshati duhet të nisesh në këmbë, 3 orë deri sa të në majë të bjeshkës në Kufi me Maqedoninë 3 orë poshtë 6 orë, e 6 orë të kthehesh”, përfundoi ai.