Një shkollë e re po ndërtohet në Qesarakë, e cila u shemb pas tërmetit të vitit 2019 dhe që do jetë gati për vitin e ri arsimor duke pritur 600 nxënës.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se shkolla 9-vjeçare “17 Shkurti” do të jetë gati në kohë. “Vitet e fundit zona është rritur jashtëzakonisht shumë. Gjithmonë ka qenë nevoja për t’u siguruar që fëmijët të mos bëjnë vara-vingo nëpër shkollat e tjera. Tërmeti, përveç se ishte një fatkeqësi, u kthye në një mundësi.
Na dha mundësinë që përveç shkollës 9-vjeçare,të kemi edhe shkollën e mesme që po e bëjmë tek ish Shërbimi Informativ i Ushtrisë, ku terrenet janë edhe më të mëdha”, u shpreh ai.
Veliaj nënvizoi faktin se prindërit duhen nxitur t’i shpien fëmijët në shkollat afër lagjes së tyre. Sipas tij, shkollat kanë të njëjtën cilësi, madje edhe më mirë se shkollat në qendër të Tiranës.
“Fëmijët harxhojnë kohë pa fund në trafik. Kjo s’ka kuptim! Është fakt se këtu, në periferi, kemi shkolla edhe më të mira, se janë më të reja, që bëhen me teknologjinë e fundit, me eficiencë energjetike, me klasa të bollshme. Janë edhe shkolla, edhe qendra komunitare. Po krijojmë një super palestër, një auditor, njësoj siç kemi bërë edhe tek Liceu Artistik, edhe tek shkolla “Servete Maçi”, apo në shumë prej shkollave të tjera në qendër të Tiranës. Janë hapësira që mund të përdoren nga komuniteti. Pra, shkolla të jetë pak më shumë se sa një mjedis që përdoret vetëm në oraret 8:00 me 13:00; të përdoret për sport, art dhe kulturë, edhe në fundjavë, nëse ka aktivitete nga komuniteti”, sqaroi Veliaj.
Deputeti i PS, Xhemal Qefalia tha se puna e bërë nga Bashkia Tiranë flet vetë. Ai u shpreh për një punë të mrekullueshme. “Ata skeptikët që mendojnë se ku shkojnë lekët e tërmetit, ja pra ku shkojnë!
Për shkollën, kopshtin, për shkollën e mesme, për çerdhen. Jam i mrekulluar dhe mezi pres që nxënësit ta shohin në shtator”, përfundoi Qefalia.