Turqia ka përditësuar numrin e viktimave si pasojë e tërmetit të së hënës, duke njoftuar se 6597 persona kanë humbur jetën. Me 2470 vdekjet në Siri, numri total i të vdekurve ka arritur në 9427.
Dhjetëra familje në Sanliurfa kërkuan strehim në katin e parë të hotelit impozant Hilton. Deri në orët e para të mëngjesit të së martës, shumica e prindërve së bashku me fëmijët e tyre nuk kanë fjetur aspak.
“Kemi mbërritur këtu dje në orën 15:00. Hoteli na ka dhënë supë në mbrëmje, por nata ka kaluar, ne jemi të uritur, ashtu edhe fëmijët…Sot do të mbyllen furrat e bukës, nuk e di si ku do të gjejmë bukë”, tha Imam Caglar, 42 vjeç.
Banesa e tij nuk është larg nga hoteli, por për shkak të kushteve të rrezikshme është e pamundur të shkojë dhe të marrë ushqim.
“Ne jetonim në katin e parë dhe kemi shumë frikë për t’u kthyer. Ndërtesa jonë nuk është aspak e sigurt”, tha babai i tre fëmijëve.