Një grup personash, duke shfrytëzuar nevojën dhe dëshirën e madhe që kanë në vitet e fundit shqiptarët për ta lënë Shqipërinë, kishin krijuar një grup të posaçëm që u “zgjidhnin” hallin të gjithëve atyre që donin të emigronin.
Por duket se autoritetet shqiptare nuk i kanë lënë gjatë këta persona që të gëzonin “frytet” e punës.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk u ka mundur të zbërthejë mënyrën e funksionimit të grupit prej 24 personash të dyshuar si të përfshirë në trafikimin e emigrantëve të paligjshëm drejt Anglisë, SHBA-ve dhe Kanadasë.
Referuar hetimit të drejtuar nga prokurori i SPAK, Behar Dibra, emigrantët e paligjshëm udhëtonin përmes pasaportave të tyre të rregullta, në vendet e hapësirës Shengen, duke marrë instruksione se ku duhet të shkonin.
Më pas, përmes dokumenteve të falsifikuara të siguruara nga anëtarët e grupit kriminal, ata udhëtonin drejt Britanisë së Madhe, SHBA-ve ose Kanadasë. Zhvendosja e tyre në vendet e Europës, bëhej nga shoferë shqiptarë, që i merrnin detyrat nga anëtarët e grupit në Shqipëri.
Po të njëjtët përcaktonin edhe vendet e akomodimit të tyre të përkohshëm, përcaktonin cilën linjë ajrore apo rrugore do të përdornin, si edhe kujdeseshin për mbërritjen e tyre në destinacion.
Sipas SPAK, bazat e falsifikimit të dokumentacionit kanë qenë në Tiranë, si edhe në Prishtinë e Prizren, të Kosovës. Hetimi ka zbuluar se ndër 24 personat e dërguar në gjyq për “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “grup të strukturuar kriminal”, tetë prej tyre, kanë pasur rol kryesor në aktivitetin kriminal.
Ata dyshohet të jenë menaxhuesit e linjës të trafikut. SPAK ka dyshime se, pagesat për dokumentet false dhe rrugëtimin janë bërë në Shqipëri, por nuk qartësohet plotësisht qarkullimi i parave, pasi është bërë cash.
Mes provave të prokurorisë, janë edhe foto dhe video të gjetura në celularët e të pandehurve, ku shfaqen dokumente të falsifikuara, pasaporta, karta identiteti, leje drejtimi, foto rezervimesh fluturimi, apo foto rezervimesh hoteli.
Grupi prej 24 personash u vu nën akuzë, pas ndalimit të 19 shqiptarëve në vitet 2019-2020 me pasaporta të falsifikuara çeke, greke, rumune e bullgare në Kanada, Angli apo aeroporte të tjera europiane.
/Burimi: A2CNN/