Vendimi për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike është kundërshtuar nga senati i akademisë.
Në një konferencë të mbajtur ata janë shprehur se nuk ishin vënë në dijeni të këtij fakti si dhe një vendim i tillë është kundër ligjit.
“Nuk mund të ndërpritet vijimësia e punës së rektorit, vetëm në raste të jashtëzakonshme. Për një normalitet, kjo është në kundërshtim me rregullat… Nuk jemi përpara një fakti të kryer, jemi në procedurë, pasi Këshilli i Ministrave ende nuk ka vendosur. Ne mendojmë se nuk ka humbur arsyeja. Në punojmë në këtë fushë për të gjitha trojet shqiptare dhe më gjerë”, thotë Luan Përzhita, rektor i Akademisë së Studimeve.
Senati u shpreh se një vendim i tillë nuk i shërben askujt, madje kjo gjë rrezikon të mos ketë më studime albanologjike.
“Ne nuk na është vënë kurrë në dijeni relacioni sesi do të zhbëhet ASA. Thuhet që është në përputhje me frymën e ligjit të arsimit të lartë. Unë i bëj thirrje kujtesës sime, që si ish-deputete e kam kaluar nëpër duar atë ligj, por merita më e madhe e atij ligji ishte se ishte europian”, shprehet Ledi Shamku Shkreli, gjuhëtare.
Këshilli i Ministrave ka formuluar një projektvendim për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe transferimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve të saj tek Akademia e Shkencave e Shqipërisë.