Lufta kundër korrupsionit mbetet në fokus të Shteteve të Bashkuara edhe në Maqedoninë e Veriut. Ambasadorja e SHBA në Shkup, Anxhela Ageler ka konfirmuar për mediat vendase ekzistencën e një “liste të zezë” me persona të tjerë që pritet të shpallen “non grata” nga Washingtoni.
“Qëndroj pas asaj që thashë para disa ditëve dhe vlerësoj se është e vërtetë. Megjithatë, informacionet duhet të vijnë nga Washingtoni. Nuk mund të jap afate kohore, e as shifra se sa do të zbulohen. Ekzistojnë më shumë lista, konform të cilave hetohen personat në kontekste të ndryshme lidhur me korrupsionin. Të gjithë ata hetohen që të sanksionohen në mënyrë të saktë.”
Shkupin një ditë më parë e vizitoi edhe Koordinatori për Antikorrupsion në Departamanetin Amerikan të Shtetit, Riçard Nefju, por ambsadorja Ageler, bëri të ditur se diplomati i lartë nuk kishte ardhur për të bërë publik emrat e personave që do të jenë në “listën e zezë” amerikane.
“Ai nuk është këtu për të zbuluar emra për “listën e zezë”. Këtu është për të diskutuar proceset, sanksionet, protokollet që qeveria e SHBA-ve ka për çështje të korrpsionit”
Në Prill të vitit 2022, Shtetet e Bashkuara vendosen sanksione ndaj shtatë personave si të përfshirë në vepra korruptive. Në mesin e tyre ishin edhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, dhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijallkov.