Me 9 shtator te vitit 1999 një ngjarje e rëndë tronditi zonën e Fanit në Mirditë, ku 30-vjeçari Shkurt Boçi u ekzekutua dhe mbeti i vrarë në vend. Ekzekutimi tij ndodhi pas një kontrolli policor në atë zonë. Sipas dëshmive nga banorët e zonës, i riu Shkurt Boçi u vra nga uniformat blu, të cilët sipas familjarëve inskenuan sikur ai të ishte i armatosur, duke i vendosur edhe një pistoletë pranë.
Por mbas 22 vitesh ende nuk është zbuluar identiteti i autorit të vrasjes dhe familjarët janë në kërkim të së vërtetës. Sipas burimeve, dosja hetimore prej muajsh është në duart e prokurorit Erjon Shehaj, i cili prej disa javësh është emëruar edhe si drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Gjatë 3 muajve të fundit organi i akuzës ka kryer hetime intensive, duke mbledhur prova e marrë në pyetje shumë persona.
Mes personave që ka dëshmuar për këtë ngjarje është edhe drejtori i Policisë së Lezhës, Zef Laska, pasi në periudhën kur është vrarë i riu mbante postin e komandantit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Laçit.
Në deklarimet e tij në Polici, Laska ka thënë se nuk ka qenë në krye të operacionit ditën kur ka ndodhur ngjarja, por në Tiranë. Prokuroria ka arritur të provojë se Shkurt Boçi është vrarë nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Laçit, por duke qenë se provat janë të pakta ende nuk është arritur të zbulohet autori i kësaj vrasjeje. Familjarët e 30-vjeçarit i kanë denoncuar me emra personat që kanë qëlluar në drejtim të tij, por për shkak se nuk ka prova të mjaftueshme ende nuk është marrë asnjë person i pandehur në lidhje me këtë ngjarje.
Referuar dosjes hetimore, rezulton se Shkurt Boçi është konfliktuar dhe përplasur fizikisht me njërin nga efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Laçit dhe më pas ka tentuar të largohet me shpejtësi. Në atë moment polici ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit Boçi, duke e lënë të vdekur në vend. Trupi i pajetë i të riut është marrë nga Policia, të cilët e kanë hedhur te shkallet e spitalit dhe më pas janë larguar me shpejtësi.
Nga këqyrja që i kanë bërë bluzat e bardha kanë konstatuar se 30-vjeçari ka qenë pa shenja jete dhe pas verifikimeve është konstatuar se i riu në anën e majtë të shpinës kishte tre plagë tejshpuese me një largësi prej 5 cm distancë me njëra tjetrën dhe plumbat ishin të një arme të kalibrit të lartë. Menjëherë pas ngjarjes efektivët e Policisë të përfshire kanë dhënë dorëheqjen e dorëzuar armët. Por duke qenë se armët i kanë pasur me numra, zbardhja e ngjarjes duket mjaft e vështirë, pasi sipas organit të akuzës, nuk disponohen as gëzhoja të armës që është kryer qitja. Ndërkohë, familjarët e Shkurt Boçit vijojnë të jenë në kërkim të drejtësisë për djalin e tyre prej afro 20 vitesh, duke shpresuar se një ditë kjo ngjarje e rëndë do të zbardhet dhe autoret do të marrin dënimin për krimin që kanë kryer.