Ditën e sotme, efektivët e Komisariatit Numër 1 kanë shoqëruar shtetasin Rodin Barçi shoferin e kazinosë, ku ishte punësuar vajza keniane, Joy Ayoko, e cila u dhunua barbarisht disa muaj më parë dhe si pasojë ndërroi jetë.
Raportohet se Barçi ka mohuar të ketë pasur lidhje me 22-vjeçaren apo ndonjë konflikt të mundshëm.
Ndërkohë, me kërkesë të Prokurorisë dhe vendim të Gjykatës së Tiranës janë kryer kontrolle në banesën e shoferit.
Nga burime të grupit hetimor mësohet se po me urdhër prokurorie, pak ditë më parë janë marrë në pyetje edhe persona të tjerë me të cilët vajza 22-vjeçare punonte në kazino.
Ata janë konsideruar si persona që mund të kenë djeni për rrethanat e ngjarjes, janë marrë një pjesë e stafit dhe drejtues të kazinosë ku janë verifikuar edhe procedurat e ndjekura për punësimin e kenianes.
Më herët nëna e Joy-t deklaroi se 4 ditë para ngjarjes ajo ka udhëtur me shoferin e kazinosë Rodi Braci për në Durrës.
Ky i fundit kishte vazhduar t’i shprehte pëlqimin e tij të resë dhe i kishte qëndruar shumë pranë gjë e cila kishte shqetësuar. Sipas nënës, Joy kishte vënë re se po ndiqej vazhdimisht nga shoferi.