Ditën e sotme, në një dalje publike për mediat, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka paralajmëruar se zyrtarët dhe ish-zyrtarët të cilët kanë abuzuar në detyrë do të jenë pjesë e hetimeve.
Kshtu sipas tij, çdo zyrtar që ka abuzuar me detyrën e shtetit nuk duhet ta bëjë gjumin e qetë.
Sakaq, ai shton se çdo hetim, kallëzimi dhe aksioni ka ardhur pas kallëzimeve të bëra nga qytetarët.
“Asnjë zyrtar dhe ish-zyrtar abuzues me detyrën e shtetit tashmë nuk duhet të ndihet i sigurt dhe as ta bëjnë gjumin e qetë. Hetimi, kallëzimi dhe aksioni djeshëm ka ardhur pas kallëzimit të një qytetari. Dua të ftoj qytetarët se denoncimet nuk duhet t’i bëjnë vetëm pasi ata nuk zgjidhin hall. Nëse qytetari mbaron punë me zyrtarin dhe pastaj ankohet minimumi është bashkëpunëtor në nxitjen e korrupsionit në Shqipëri. Duhet ta zhdukim këtë mentalitetin e mbarimit të hallit me paligjshmëri apo duke paguar nën dorë. Nuk kemi mbaruar punë as në Kadastrën e Sarandës e as në të gjitha zyrat e Kadastrës. Drejtoria Anti-Korrupsion ka në proces një superhetim me të gjitha abuzimet me pronën publike dhe private nga veriu në jug me fokus të veçantë bregdetin. Dosja e hetimit e cila shtrihet në kohë, përfshihen ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të Kadastrës pavarësisht rangut dhe detyrës që mbajnë dhe që shumë shpejt pas përfundimit të këtij hetimi rezultate konkrete do jenë në duart e SPAK”, shprehet Ministri i Drejtësisë.