Dhomat dhe shoqatat kryesore të përfaqësimit të biznesit në Shqipëri kanë shprehur në procesin e konsultimit publik kundërshtime ndaj projektligjit “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare”.
Këto komente vijnë pasi më herët 19 shoqata biznesi dhe dhoma tregtie iu drejtuan me një letër Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj, ku kundërshtonin projektligjin që parashikon anëtarësimin me detyrim të të gjithë bizneseve në një Dhomë Ekonomike Kombëtare.
Dhoma Amerikane e Tregtisë në komentet e saj depozituar në faqen e konsultimeve publike shprehet se anëtarësimi i detyrueshëm për subjektet tregtare i parashikuar në projektligj bie ndesh me parimin e lirisë se organizimit sipas nenit 46 të Kushtetutës. Sipas Dhomës Amerikane, ky nen sanksionon lirinë e organizimit e cilido personi që të zgjedhë mënyrën e organizimit kolektiv, të cilët nuk mund të detyrohen te marrin pjesë në organizime kundër vullnetit të tyre.
Dhoma Amerikane vëren se projektligji parashikon një sërë shërbimesh që mendohet të ofrohen nga DHEK ose degët e saj, por ndër këto shërbime ai më thelbësori mbetet jashtë perimetrit të kompetencave të saj. Shërbimi i regjistrimit të biznesit dhe identifikimi i pronarëve përfitues mbeten pranë QKB-se e cila do të vazhdojë të kryejë këtë funksion së bashku me shërbime të tjera mbështetëse siç janë asistenca apo informimi për procedurat e regjistrimit të biznesit, regjistrimi i pronarëve përfitues, etj.