Me përfundimin e kontratës koncensionare për pullat te mallrat e akcizës në dhjetor 2024, sipas vendimit të marrë nga qeveria, prodhimi nga 2025 do të bëhet nga një person i autorizuar i Këshillit të Ministrave.
Shoqata e Prodhuesve të Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase dhe Shoqata e Mikrobirrarive në letrat dërguar ministrit të Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhes dhe ministres për Shtetin, Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj kërkojnë të shqyrtohet mundësia e heqjes së detyrimit të pajisjes me pulle fiskale për birrën.
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Prodhuesve të Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase Sajmir Laçej në letër argumenton se në të gjitha shtetet e botës nuk aplikohet pullë akcize për birrën, sepse krahasuar me produkte të tjera akcize, birra ka një ngarkesë të ulët taksimi të lidhur me përqindjen nën 5% alkool dhe 95% ujë. Sipas tij prodhimi i birrës në vend kryhet në kushte mbikëqyrje nën regjimin e Magazinave Fiskale të Prodhimit, sistem monitorimi nga doganat dhe deklarimet online dhe e bën të panevojshëm vendosjen e pullës fiskale