Në Shqipëri është kthyer dukshëm si një dopjo-standard që ligji vepron vetëm për qytetarët e thjeshtë, në një kohë që oligarkët dhe ata që punojnë me qeverinë nuk preken!
Kjo gjë shikohet kudo që të hedhësh sytë nëpër territorin e Shqipërisë, ku persona të afërt me politikën apo biznesmen të fuqishëm që punojnë edhe me shtetin, bëjnë si duan dhe ndryshojnë apo shkelin çdo rregull apo ligj.
Sot po flasim për një fenomen të shëmtuar që është krijuar në krahun e djathtë të superstradës Tiranë-Durrës, në krahun kur vjen nga Durrësi për në Vorë.
Bashkëpunëtorë të “Priza.al” kanë sjellë foto interesante nga një zonë vetëm 2 kilometra pa hyrë në Vorë në superstradë nga krahu që vjen nga Durrësi, ku një sipërfaqe e madhe toke arë është shndërruar në tokë për biznes.
Sipas banorëve të zonës, është biznesmeni Pëllumb Salillari, që ka mbathur me materiale inerte dhe dhera një sipërfaqe të konsiderueshme prej disa hektarësh të një toke arë, duke e kthyer atë në truall për ndërtime ose biznes.
Por Salillari që jo shumë larg nga ky vend ka impiantin e betonit dhe kantierin për mjetet e tij të rënda, jo vetëm që e ka mbathur këtë tokë buke, por ka krijuar edhe një rrugë lidhëse që lidh segmentin e vjetër Tiranë-Vorë-Shijak me superstradën Tiranë-Durrës, madje ka bërë edhe një dalje të madhe në korsinë e djathtë të superstradës kur vjen nga Maminasi për në Vorë, në shkelje me të gjitha parametrat rrugorë.
Por duket se për Salillarin e PPP-ve dhe betonit, ligji dhe ARRSH-ja nuk paskan fuqi, pasi ai jo vetëm që mund të ndërtojë dhe transformojë pamjet e peisazhit natyror, por edhe mund të bëjë rrugë dhe dalje në superstradë sipas interesave dhe orekseve të tij.
Aksioni selektiv i ARRSH-së
Ndërkohë dje si për hironi ARRSH-ja filloi show-n e radhës me prishjen e rrugëdaljeve në drejtim të superstradave të të gjitha shtëpive dhe bizneseve të ndërtuara buzë rrugës nga Rrogozhina në Fier.
Nëse është një veprim për të shtuar sigurinë nëpër rrugët e vendit, ARRSH-ja bën shumë mirë, por atë që nuk kuptojmë është fakti se përse kjo agjenci shtetërore ligj-zbatuese vepron me dopjo-standarde.
Përse nuk bllokohet e para dalja në superstradën Tiranë-Durrës që kompania “Salillari” ka hapur në shkelje me ligjin? Apo sepse ai është një prej oligarkëve që “kollofitin” PPP?!
Por në një kohë që prej ditës së djeshme ARRSH-ja nisi bllokimin e hyrje- daljeve në autostrada e superstrada, siç edhe e kishte njoftuar, banorët e gjendur përpara një fakti të kryer thonë se para këtij vendimi, duhet të ishin bërë rrugët dytësore, pasi leja e posaçme për të dalë në autostradë është e papërballueshme.
Dje mjetet e IKMT-së në Lushnjë hapën kanale si barrikadë për të bllokuar hyrje-daljen e bizneseve dhe banorëve në autostradën drejt Fierit.
Vendimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar nisi nga rrethrrotullimi i Çermës në segmentin Rrogozhinë-Lushnjë, për të vazhduar deri në hyrje të By-Pass-it të Mbrostarit në afërsi të Fierit.
Të gjendur mes një bllokimi total, bizneset dhe banorët u shprehën të revoltuar për vendimin.
Banorët u lajmëruan nga ARRSH-ja se duhet të aplikojnë për leje e cila kushton disa dhjetëra miliona lekë.
“Për të marrë lejen te ARRSH, për hyrje-dalje kushton jo më pak se 20 milionë lekë të vjetra”,- tha një banor në Lushnjë.
Në kushtet e bllokimit, bizneset thanë se rruga më e lehtë është ulja e qepenave.
Banorët kanë kërkuar me një peticion të bëhet rruga dytësore, e më tej të bllokohen hyrje-daljet në autostradë, me qëllim të mos pengohet aktiviteti i tyre sidomos në prag të festave të fundvitit.
Edhe në Vlorë i njëjti fenomen me tokat bozë autostradës
Inerte me gjasë për të kthyer nga toka arë në troje ndërtimi janë konstatuar edhe përgjatë rrugës së re të lumit të Vlorës. Por sot bashkia e Vlorës nisi aksionin për pastrimin e tyre pas denoncimit në media.
Zona përballë fshatit Sherishtë është mbushur me thasë me mbetje ndërtimore dhe sipas kreut të bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, rruga është lënë enkas pa rrethim për të mundësuar hedhjen abuzive.
Mbetjet shtrihen në një vijë prej 500 metrash, përgjatë rrugës së inauguruar së fundi, gjë që bashkia Vlorë premton ta sistemojë në pak kohë.
Gjithçka ndodh në kilometrin e 10-të përballë fshatit Sherishtë ku në krahun e djathtë të rrugës të zë syri dhera, beton e mbetje pllakash të copëtuara në një vijë prej 500 m përgjatë kësaj rruge.
Edhe pse janë ngritur grupe kontrolli për mos lejimin e kamionëve ato hidhen gjatë natës jo vetëm nga banorët e fshatrave aty pranë por dhe nga qyteti i Vlorës.
/Priza.al/