Shpallen dy studio finaliste për projektin e Qendrës së Konferencave dhe Ekspozitave, Veliaj mesazh

Dy ishin studiot të cilat u përzgjodhën për një fazë tjetër vlerësimi nga juria ndërkombëtare e kryesuar nga arkitekti i njohur Italian, Marco Casamonti, për realizimin e Qendrës së Konferencave dhe Ekspozitave, e cila do të jetë një ndër veprat e para publike të rëndësishme që do të vendoset te Bulevardi i Ri në Tiranë.

Juria ishte e ndarë mes studios italiane Fuksas dhe asaj çeke Chybik+Kristof, të cilave iu dha mundësia të paraqesin pas një muaji projektin e detajuar.

“Ishin dy projekte që e kapën vëmendjen tonë, sepse mendojmë se duhet të kemi një hap të dytë dhe fituesit janë: Fuksas dhe Chybik+Kristof,” u shpreh Casamonti, në përfundim të konkursit të ditës së sotme ku ishin 5 studio finaliste që paraqitën projektet e tyre për këtë qëllim.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili gjithashtu ishte pjesë e jurisë, tha se të gjitha studiot, edhe ato që nuk u shpallën fituese, janë të mirëpritura të marrin pjesë në projekte të tjera, të cilat do të kulmojnë me Polin e ri të Drejtësisë në zonën e Bulevardit të Ri.

 

 

“Plani ynë është të vijojmë në të njëjtën traditë edhe për punët e tjera, që duhet të bëjmë tek Bulevardi i Ri dhe shumë shpejt do të kemi thirrje dhe komisione të tjera për pjesën e Polit të Drejtësisë, për disa nga ndërtesat komerciale, artistike në atë që ne e quajmë një destinacion dhe një sektor Fin-Tech. Jam i bindur që, pavarësisht rezultatit, do të kemi besoj angazhime për të pesë studiot. Ky qytet është i gjithi një kantier,” u shpreh Veliaj.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *