Shpallet i pafajshëm efektivi i repartit RENEA, Xhulio Liçi për akuzat e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Ai u arrestua në maj të këtij viti bashkë me dy persona të tjerë Ded Nimani dhe Luan Gaçi, pasi në mjetin e tij u gjet 1 kilogramë kokainë.
Gjykata ka vendosur dënim 4 vite e 8 muaj burg ndaj Ded Nimanit, për shkak të dënimit të shkurtuar. Nimani ka deklaruar se asnjëri prej tyre nuk kishte dijeni për lëndën narkotike por çdo gjë ishte organizuar prej tij. Prokuroria e gjendur edhe përballë mungesës së provave ka liruar nga akuzat efektivin e RENEA-s dhe Luan Gaçin.
Në gjykatë, më 17 maj, Lici u përlot duke i kërkuar falje miqve dhe të afërmëve të tij duke thënë se kishte besim te drejtësia. Ai u shpreh në atë kohë se nuk i njihte personat që mori në makinë e se arsyeja se përse e bëri këtë veprim u bë pasi Dedë Nimani ishte i moshuar në moshë.
“Marr njerëz kur udhëtoj pasi jam njeri human. Jam rritur jetim, dhe gjithmonë kur shoh njerez të moshuar i marr në makinë. Unë jam polic në Fier dhe po udhëtoja nga ky qytet drejt Tiranës . Përgjithësisht rrugës së kthimit marr njerëz. Në zonën e plepave një person ngriti dorën dhe unë e mora në makinë. Me vete kishte një pako që e vendosi në bagazh”.- ishte dëshmia e efektivit të RENEA-s.
/Priza.al/