Anëtarët e një grupi kriminal që u arrestuan ditën e djeshme nga policia e Tiranës kishin kodet e tyre të komunikimit të cilat i ndihmonin për të mos u dalluar nga të tjerët apo policia.
Të arrestuarit shpërndanin droga të forta të tip kokainë dhe heroinë me target grup adoleshentët dhe gjimnazistët.
Zona kryesore e shpërndarjes, sipas burimeve, ishte rreth e përqark gjimnazit “Petro Nini Luarasi” dhe lokaleve përreth. Një nga të arrestuarit, Dorjano Çela ishte personi që kishte siguruar klientët edhe në këtë gjimnaz.
Disa nga kodet që ata përdornin ishin ‘vëllai i madh, vëllai i vogël dhe pluhur zane’ referuar kokainës apo ‘seqe’ referuar kanabisit.
Vëllai i madh dhe vëllai i vogël lidhet me sasinë e kokainës që do të shpërndahej nga personat e përfshirë.
Policia dhe prokuroria kanë administruar dhjetëra telefonata për të siguruar fillimisht deshifrimin e kodeve dhe më pas sigurimin e provave për veprimtarinë kriminale.