Gjatë 12 orëve të fundit, finalizohen nga Komisariati i Policisë Himarë, 2 operacione antidrogë të koduara “Dhërmiu” dhe “Potami”.
Vihen në pranga 2 shtetas, njëri prej tyre me precedent të theksuar kriminal, në disa fusha që shpërndanin drogë në plazhet e Jugut.
Sekuestrohen dhjetëra doza të lëndës narkotike kokainë, peshore elektronike dhe shuma parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Në vijim të operacioneve policore të njëpasnjëshme, të zhvilluara për rritjen e parametrave të sigurisë gjatë këtij sezoni turistik, si dhe për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave, në lokale në plazhe dhe në lokale nate, në qytetin e Himarës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, gjatë 12 orëve të fundit, kanë organizuar dhe kanë finalizuar me sukses 2 operacione antidrogë të koduara “Dhërmiu” dhe “Potami”.
✅Në kuadër të operacionit policor të koduar “Dhërmiu”, u arrestua në flagrancë shtetasi A. D., 47 vjeç, banues në Tiranë, (shtetas me precedentë të shumtë kriminal, për vepra penale si “Dhuna në familje”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Falsifikimi i monedhave”).
Ky shtetas kishte përshtatur në bagazhin e automjetit me të cilin udhëtonte, një vend për fshehjen e lëndës narkotike. Gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 50 doza të dyshuara të lëndës narkotike kokainë, të cilat nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, dyshohet se 47-vjeçari do t’i shiste në lokale nate, në Drimadhe, Dhërmi dhe Himarë.
✅Në kuadër të operacionit policor të koduar “Potami”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, mbi një rast të shitjes së dozave të drogave, në lokale në plazhin e Potamit, arrestuan në flagrancë shtetasin Z. H., 28 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën disa doza të dyshuara të lëndës narkotike kokainë, një peshore elektronike dhe vlera monetare të dyshuara të përfituara nga shitja e dozave në lokale në këtë plazh.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.