Policia e Tiranës ka goditur një grup që merrej me trafikun e drogës, në pranga e bluve të kryeqytetit ranë 5 persona, ku vlen të theksohen se në mesin e të ndaluarve, është edhe një 41-vjeçar nga Kosova.
Arrestimi i tyre erdhi pas kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre ku u gjetën një sasi lënde të dyshuara narkotike, të llojit kokainë, cannabis sativa dhe heroinë, të ndara në doza.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Goditen, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, 5 raste të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Vihen në pranga 5 shtetas. Sekuestrohen doza kokaine, heroine dhe kanabisi.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas shpërndanin lëndë narkotike, në zona të ndryshme të Tiranës, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit:
- M., 28 vjeç, N. E., 39 vjeç, E. Zh., 22 vjeç, A. A., 26 vjeç, të gjithë banues në Tiranë dhe Y. A., 41 vjeç, banues në Prishtinë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve, në vende të ndryshme, shërbimet e Policisë iu kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuara narkotike, të llojit kokainë, cannabis sativa dhe heroinë, të ndara në doza.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.