Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë pasi shpërndanin drogë pranë shkollave në Kamzë.
Uniformat blu raportojnë se të arrestuarit janë, Xhenario Klosi 23 vjeç dhe Armand Thaçi, 28 vjeç. Ky i fundit kishte thyer masën e arrestit me burg për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Gjatë kontrollit fizik, Xhenario Klosit i janë gjetur 15 doza me lëndë hashash, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i policisë:
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas që shpërndanin doza kanabisi, në afërsi të shkollave, në Kamëz.
Njëri nga të arrestuarit kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për një vepër tjetër penale.
Sekuestrohen doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një rast të shpërndarjes së dozave të lëndëve narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Stop”.
Në kuadër të këtij operacioni u kapën në afërsi të dy shkollave të ndryshme në Kamëz dhe u vunë në pranga shtetasit Xh. K., 23 vjeç dhe A. Th., 28 vjeç, të dy banues në Kamëz.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas shpërndanin doza të lëndës narkotike kanabis, në afërsi të shkollave, në Kamzë.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit Xh. K. i janë gjetur 15 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. Th. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.