Tre persona janë arrestuar në Tiranë pasi shpërndanin lëndë narkotike.
Shtetasit me iniciale M. M., 19 vjeç, F. Xh., 21 vjeç, dhe A. T., 20 vjeç, e shisnin kanabis në doza të vogla, në zonën e Unazës së Re dhe në Yzberisht.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë
Finalizohet operacioni i koduar “Portions”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6.Goditet 1 rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Vihen në pranga 3 shtetasit që ushtronin këtë veprimtari kriminale.Sekuestrohet lëndë narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza, gati për shitje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Portions”, gjatë të cilit është goditur 1 rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– M. M., 19 vjeç, F. Xh., 21 vjeç, dhe A. T., 20 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Në rrugën “Tre Dëshmorët”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve, kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde narkotike të llojit cannabis sativa, të ndarë në doza, gati për shitje.Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit M. M., është gjetur dhe sekuestruar një tjetër sasi lënde narkotike e ndarë në doza.
Nga verifikimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e shisnin atë në doza të vogla, në zonën e Unazës së Re dhe në Yzberisht.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.