Dy të rinj janë arrestuar në Tiranë, pasi shpërndanin lëndë narkotike.
Shtetasit me iniciale E. B., 21 vjeç, dhe H. C., 24 vjeç në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin lëndën narkotike, e ndanin atë në porcione të vogla, të cilat më pas i shisnin në zona të ndryshme të Tiranës.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Stacioni i fundit”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2.Goditet 1 rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Tentuan të transportonin me automjet, me qëllim shitjen, doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohet lëndë narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Stacioni i fundit”, gjatë të cilit është goditur 1 rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike, në doza.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– E. B., 21 vjeç, dhe H. C., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Në rrugën “Isuf Elezi”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, kanë lokalizuar automjetin me drejtues shtetasin E. B. dhe pasagjer shtetasin H. C.
Shtetasit E. B., gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje. Sipas verifikimeve të kryera ka rezultuar se lënda narkotike i përkiste shtetasit H. C. dhe se shtetasi E. B. do kryente transportin e saj. Gjithashtu, nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin lëndën narkotike, e ndanin atë në porcione të vogla, të cilat më pas i shisnin në zona të ndryshme të Tiranës. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarive kriminale të kryera nga këta shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.