Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan dje në Samitin e Procesit të Berlinit një plan veprimi për tregun e përbashkët rajonal për vitet 2025-2028 dhe një marrëveshje për qasjen në arsimin e lartë. Takimi, i organizuar nga kancelari gjerman Olaf Scholz, përfshiu liderët Edi Rama, Albin Kurti, Millojko Spajiç, Borjana Christo, Hristian Mickovski dhe Millosh Vuçeviç.
Një pjesë e rëndësishme e këtij procesi është shpërndarja e fondit prej 6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor, që pritet të fillojë brenda këtij viti, pas miratimit të agjendave të reformave për pesë vendet, përveç Bosnje Hercegovinës. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se miratimi i këtyre agjendave do të hapë rrugën për lëvrimin e fondeve.
Von der Leyen nënvizoi rëndësinë e Procesit të Berlinit si një histori suksesi dhe theksoi se vendi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE. Marrëveshja për lëvizjen e lirë brenda rajonit ende nuk është zbatuar plotësisht, me Bosnjën që nuk e ka nënshkruar marrëveshjen me Kosovën. Albin Kurti njoftoi se Kosova do të liberalizojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen me Bosnjën duke filluar nga 1 janari.