Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Orizaj, në Berat. Një bombolë gazi ka shpërthyer brenda një banese, e cila ishte në pronësi të shtetasit Agur Cako dhe në të cilën ndodheshin 7 persona në momentin e ngjarjes.
Bombola e gazit ishte në një dhomë të vogël që familja Cako e përdorte si dhomë gatimi. Pas shpërthimit të bombolës, flakët u përhapën shumë shpejt. Megjithatë, e gjithë familja arriti të largohej nga banesa dhe njoftuan menjëherë zjarrfikësit.
Në banesë jetonin bashkëshortët Cako me tre fëmijë të vegjël dhe dy prindërit e moshuar të Agur Cakos,por fatmirësisht asnjë nga pjesëtarët e familjes nuk ka pësuar lëndime.Falë ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse, flakët u lokalizuan në kohë dhe u shuan. Si pasojë e shpërthimit, dhoma ku ndodhej bombola e gazit u shkrumbua krejtësisht, ndërsa dëme materiale u shkaktuan edhe në një dhomë tjetër që ishte pranë.