Vora e ka marrë seriozisht punën për sezonin e ri dhe ndonëse kanë zbritur në Kategorinë e Dytë, klubi është riorganizuar dhe që tani e ka shkruar emrin si pretendent për t’u ngjitur një kategori më lart.
Pas nënshkrimit të kontratës me sulmuesin e njohur peqinas, Artur Magani dhe Miki Basha, dje Vora ka bërë një goditje “shtatëballëshe” në merkato. Vorakët kanë firmosur dje me shtatë lojtarë të rinj, të cilët vijnë nga akademi të ndryshme të futbollit duke bërë që trajneri Artan Mergjyshi të ketë në dispozicion një ekip të konsoliduar dhe me plot alternativa. Kesli Shani, Rei Lala, Arber Jata, Klejdi Nikolla, Eljon Stafa, Herdi Balla dhe Kristi Karaj janë futbollistët e rinj me të cilët klubi ka gjetur akordin për të kontribuar për Vorën në sezonin e ri.
Ky grup lojtarësh shikohen si kontingjent i së ardhmes së Vorës, skuadër e cila në edicionin e ri do të ketë një gërshetim brezash. Lojtarët me eksperiencë si portieri Hidi, Magani, Rraboshta, Vrapi, Gjoni, Sefa dhe Xhemalaj të alternuar me të rinjtë e perspektivës, sipas drejtuesve të klubit me në kryer administratorin Eldiano Topi, janë bazë suksesi dhe garantojnë kthimin e shpejtë të Vorës në Kategorinë e Parë.