Një shpërthim i fuqishëm gazi u mori jetën dy personave në një fabrikë peshku, Greqi.
Viktimat ishin një shtetas me origjinë shqiptare, rreth 40-vjeç dhe 39-vjeçari grek, Gerasimos Fatouros, baba i tre fëmijëve.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar bashkëshortja e këtij të fundit, e cila pohon se në vitin 2016 ka ndodhur një tjetër shpërthim në biznes.
E veja Zenovia Paschos shprehet se kushtet në punë linin shumë për të dëshiruar dhe se bashkëshorti i saj ka rrezikuar jetën shumë herë.
“Në vitin 2016, ndodhi sërish një shpërthim në këtë biznes dhe burri im shpëtoi. Ai arriti të shpëtonte edhe shokun e tij atëherë. Ai e hodhi në një rezervuar me ujë sepse burrit i digjej fytyra. Pastaj të dy shpëtuan. Megjithatë dje ata “u larguan” përgjithmonë. Të dielën mbaronte punën dhe kthehej në shtëpi. Po e merrja në telefon, por nuk përgjigjej. Nuk e dija se çfarë po ndodhte. Motra ime më merr në telefon dhe më thotë: Në biznesin ku punon Gerasimos ka ndodhur një shpërthim. Filloj të iki për të shkuar në punën e tij për ta gjetur, largohem nga shtëpia dhe shoh kontabilistin e kompanisë duke mbërritur në shtëpinë time. Shefi i tij nuk i ka lënë pushim, nuk i ka bërë dhuratë për Krishtlindje dhe Pashkë, vetëm për ditë pushimi, herë pas here. Të dielën i thosha, ‘mos shko në punë’. Burri im ishte gjithmonë i gatshëm, ai ishte i mirë, ai ishte një makinë me shumë detyra për ta. Fatkeqësisht, kushtet në punë nuk ishin ideale. Burrit tim i kishin ofruar një punë tjetër këtu në Prevezë dhe donte të shkonte por nuk ia doli”, tha ajo.