Në Shqipëri rastet me koronavirus shpërthyen gjatë muajit korrik me një rritje të madhe të rasteve të reja por dhe të vdekjeve. Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se krahasuar me qershorin, rastet thuajse janë 6-fishuar. Në fund të muajit numëroheshin mbi 30,900 të infektuar rishtazi, nga 5,248 të prekur në total përgjatë gjithë qershorit.
Që prej 12 korrikut, numri i rasteve të reja ditore ka qenë mbi 1 mijë, me përjashtim të ditëve të fundjavës, kur numri i testimeve bie ndjeshëm. Tregues i përhapjes së gjerë të virusit është pozitiviteti (raporti mes rasteve të infektuarve dhe testimeve). Mesatarja mujore ishte 45.4 për qind, nga 4 për qind në qershor, ndërkohë që javën e fundit arriti në 48.2 për qind, ose gati 1 person i prekur në çdo dy testime të kryera. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.
Shifrat e rritura të rasteve të reja, u shoqëruan dhe me një shumëfishim të numrit të viktimave. Pas një periudhe gati dy mujore, që prej fillimit të majit, në fund të qershorit u njoftua për vdekjen e një 72 vjeçari. Më pas njoftimet për humbje jetë filluan të bëhen sërish thuajse të përditshme. Përgjatë muajit korrik vetëm në 7 ditë nuk ka patur viktima. Në total llogariten 47 vdekje, nga të cilat 19 vetëm javën e fundit. Të hënën Ministria e Shëndetësisë njoftoi për tre humbje jete: dy qytetarë nga Tirana të moshave 66-75 vjeç dhe një qytetare nga Fieri 80 vjeçe. Në muajin prill pati vetëm 4 viktima, në maj 1 dhe në qershor 4 të tjerë. Në rritje, por jo të lartë, ka qenë dhe numri i të shtruarve në spitale. Nëse në fillim të muajit ishin 21 pacientë, të hënën Ministria e Shëndetësisë njoftoi për 35 persona që kanë patur nevojë për trajtim të specializuar.
Përhapja e shpejtë e virusit, ka bërë që autoritetet të shtojnë përpjekjet për vaksinimin e popullatës, një proces i cili, veçanërisht pas heqjes së masave kufizuese thuajse ka mbetur në vend. Ende as 60 përqind e popullatës mbi 16 vjeç, nuk ka marrë më shumë se një dozë. Përveç qendrave shëndetësore ku ofrohet vaksinimi janë dhe 7 njësi të lëvizshme të shpërndara në territor. Madje autoritetet kanë vendosur dhe një numër jeshil, përmes të cilit mund të kërkohet vaksinimi në banesë./VOA