Një shpërthim me tritol në derën e shtëpisë së Muhamet Dukës zgjoi banorët e një pallati në zonën e Freskut. Nga ngjarja nuk pati persona të lënduar, por dëmet janë të mëdha.
Shpërthimi ka qenë i fortë që është dëgjuar jo vetëm në pallatin ku ndodhi, por edhe tek pallatet pranë. Si pasojë e shpërthimit ka patur dëme të shumta materiale në banesën e fqinjit që ndodhet ngjitur me apartamentin e Dukës, por edhe banesat e tjera.
Banorët e këtij pallati, në një prononcim për mediat rrëfejnë tronditjen nga kjo ngjarje.
“3 pa 20 të natës ndjemë tronditje të madhe, shumë tronditje e madhe, ishim në gjumë u ngritëm. Ishim të dy bashkëshortët. U ngrit im shoq nëpër shpi vetëm tym dhe errësirë, hapëm dyer dritare. Derën (e jashtme) nuk e hapëm dot, dera ishte çarë, ishte copë-copë. U ngritën të gjithë fqinjët, fol nga ballkoni, lajmëruam policinë. Erdhi policia, 3, 3 e çerek ka ardhur polica, faleminderit policisë. Erdhi u gjend këtu. Deri në orën 7 ne nuk e hapnim dot derën, sa erdhën ata që hapën derën. Kështu, nuk e dimë nga se erdhi kjo. Muhamet Duka ka shtëpinë aty, atij që i është vënë ajo”, tregon një qytetare.
Një tjetër banor rrëfen se jeton dy kate më poshtë, por dëme ka pësuar edhe shtëpia e tij.
“Ja sa ka hyrë dera brenda nga presioni që ka pasur krejt pallati. Unë jam 2 kate më poshtë se ka ndodhur ngjarja edhe ka dëmtime, pale kati aty ku ka ndodh. Aty kanë shpërthyer të gjitha dyert. Shpërthimi ishte i fuqishëm sa disa banorë kanë përfunduar në spital nga trauma, pasoja, tronditjet. Kalamaj të vegjël… Dëmtimet aty ku ka ndodh janë shumë të mëdha, janë shpërthyer të gjitha dyert janë hapur. Nuk e njoh pronarin ku është vendosur tritoli, thuhet që nuk banon njeri aty prej pak kohësh”, shprehet banori.
Fatmirësisht në shtëpinë e familjes Duka prej kohësh nuk jetonte njeri. 65-vjeçari Muhamet Duka është babai i Leonard Dukës, i akuzuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko në vitin 2019 në Tiranë dhe aktualisht i arrestuar në Belgjikë.