Në Shqipëri, raporti i dy oficerëve të policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Lushnjes, mbi shpërthimin e ndodhur më 1 mars, ku humbën jetën babë e bir, dhe u plagosën 7 të tjerë, ka nxjerrë në pah faktin se magazina ku po punohej, në pronësi të deputetit socialist Bujar Çela, një ndër të plagosurit, ishte në shkelje të lejes së ndërtimit. Leja është lëshuar në shtator të vitit të kaluar, por asnjë nga institucionet vendore të ngarkuara për verifikime apo kontrolle, kanë deklaruar se nuk kanë patur dijeni. Si kryeinspektori ashtu dhe juristi i Inspektoriatit vendor të Mbrojtes së Territorit kanë shpjeguar se “nuk kanë patur pasur asnjë informacion nga urbanistika, policia apo njësia administrative se aty po kryheshin punime” dhe se “sistemi online i bashkisë nuk ka funksionuar dhe gjatë kësaj kohe nuk kanë bërë asnjë inspektim të objektit në fjalë për këtë ndërtim”.
Vetëm të nesërmen e ngjarjes, pas kërkesës së Prokurores së çështjes, Inspektoriati ka mbajtur një procesverbal ku rezulton se “janë kryer punime në shkelje të lejes”, dhe një tjetër “për prishjen e objektit të kundraligjshëm”. Raporti i oficerëve të policisë gjyqësore, po ashtu hedh deri diku dritë mbi shkaqet e ngjarjes, duke rrëzuar variantin me dyshimet e para të ofruar nga policia, për një kontakt të vinçit me linjën e tensionit të lartë.
Deklaratat nga dëshmitarë në vendngjarje por dhe vlerësime të ekspertëve të pyetur për rastin, tregojnë se “shpërthimi është shkaktuar nga një avari që ka ndodhur gjatë procesit të punës që kryente viktima Roland Hoxha për prerjen dhe çmontimin e disa profileve të hekurit duke përdorur flakën me nxehtësi të lartë që prodhohet nga djegia dhe përzierja e oksigjenit me acetilenin. Kjo avari ka bërë që një nga bombulat e cila dyshohet të këtë qenë më përmbajtje gazi acetilen ka shpërthyer duke shkaktuar dhe dëmet me pasojë humbjen e jetës së dy shtetasve, plagosjen e shtatë të tjerëve dhe dëmtimin e objektit, banesave dhe bizneseve përreth”, shkruhet në raportin e oficerëve të policisë gjyqësore, ku mungon marrja e një dëshmie nga vetë deputeti, i cili iu nënshtrua filliisht një ndërhyrjeje të parë kirurgjikale në Lushnje e pastaj një ndërhyrjeje të dytë në Spitalin e Traumës në kryeqytet, mbrëmjen e ditës kur ndodhi shpërthimi.
Oficerët e policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Lushnjës kanë referuar pranë prokurorisë se “nga tërësia e materialeve hetimore të deritanishme rezulton se jemi para veprave penale të Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë parashikuar nga neni 289/2 të Kodit penal, Shkatërrim i pronës nga pakujdesia të parashikuar nga neni 161 i K.penal dhe ndërtimit të paligjshëm të parashikuar nga neni 199/a i Kodit penal”. Kjo e fundit, mund të penalizojë drejtëpërsëdrejti deputetin socialist duke qenë se objekti ka qenë në pronësi të tij. Në një rast të tillë, Prokuroria mund të kërkojë që çështja t’i kalojë për kompetencë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar e cila shqyrton rastet e zyrtarëve të lartë. Zoti Çela po ashtu mund të gjendet dhe në shkelje të ligjit për Konfliktin e interesit i cili përcakton disa kufizime për deputetin duke i ndaluar të jetë “drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse”, se “nuk mund të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar…”. Raporti i oficerëve të policisë gjyqësore tregon se leja e ndërtimit “për tregëtim dhe magazinë” është në emër të tij, se ai ka lëshuar me qera mjediset të tjera të magazinës, apo ka firmosur dhe kontratat për mbikqyrje dhe realizim punimesh me të tretë./voa