Përfundojnë dy ndeshjet e javës së 9 të Kategorisë Superiore. Laçi është rikthyer te fitorja pas disa rezultateve zhgënjyese. Kurbinasit kanë mundur me rezultatin minimal ekipin e Kastriotit.
Skuadra e drejtuar nga malazezi Vukiçeviç realizoi golin e vetëm të këtij takimi në minutën e 15. Ujka gjuajti nga jashtë zonës dhe mposhti portierin Sali.
Me këtë fitore, Laçi ngjitet në vendin e 9 me 8 pikë, ndërsa Kastrioti mban vendin e 8 me 10 pikë.
Në ndeshjen tjetër, Egnatia ka zbritur me këmbë në tokë Kukësin, duke bërë që Shpëtim Duro të debutojë me fitore në krye të stolit rrogozhinas. Miqtë zhbllokuan ndeshjen në minutën e 82. Delarzh ktheu topin në zonë dhe Ferreira e devijoi në portën e tij.
Me këtë fitore, Egnatia ngjitet në vendin e 4 me 12 pikë, ndërsa Kukësi renditet në vendin e 6 me 11 pikë.