Një autobus me pasagjerë nga Maqedonia e Veriut, u përplas dhe më pas shpërtheu në flakë në Bullgari duke lënë pas 46 viktima mes tyre edhe 12 fëmijë. Shumica e viktimave janë nga 25 deri në 30 vjeç, sipas mediave lokale, ku më e vjetra është 63 vjeç.
Shtatë personat që mundën të shpëtonin janë dërguar në spital. Në mesin e të mbijetuarve janë pesë shtetas të Maqedonisë së Veriut, një serb dhe një belg.
Lulzim Sulejmani është një nga të mbijetuarit e tragjedisë në Bullgari.
Media e njohur “Blic” në Serbi e konsideron të riun një “hero” duke shkruar dhe një artikull për të.
“NJë HERO I VËRTETË – Një qytetar serb, megjithëse i lënduar, ndihmoi shtatë pasagjerë të tjerë të evakuoheshin në aksidentin e tmerrshëm në Bullgari”, shkruhet në artikullin e medias së njohur serbe.
Përmes një interviste nga spitali, i riu është shprehur se ka thyer xhamin dhe ka arritur të arratiset me të fejuarën dhe disa persona të tjerë.
“Shoferin duhet ta ketë zënë gjumi. Autobusi u përplas me barrierën mbrojtëse dhe plasën gomat. Më pas është përfshirë nga flakët. Autobusi ishte plot tym. Theva xhamin dhe bashkë me të fejuarën dhe disa persona të tjerë arritëm të dilnim. Në autobus u dëgjuan shumë britma. Pastaj nuk e di se çfarë ndodhi, pasi u largova 200 metra nga autobusi. Unë isha 4 ditë me të fejuarën time me pushime. Fëmija më i vogël ishte 4 vjeç. Po binte shi. Shkak i vetëm i aksidentit është përgjumja e drejtuesit të mjetit. E fejuara ime iu nënshtrua një operacioni sepse ka fraktura. Mua gjunjët më ishin lënduar”, tha Lulzim Sulejmani nga Presheva.