“Shpirti nuk kontrollohet nga ligjet…”/ Mesazhi i Dom Gjergj Metës për urimet e festave fetare

Ipeshkëvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta ka ndarë një mesazh në rrjetet sociale në lidhje me urimet e festave fetare. Ai është shprehur se institucionet evropiane mund të mësojnë nga shoqëritë plurale qindravjeçare si ajo shqiptare. Ndër të tjera Dom Gjergj Meta, shprehet se nuk duhet të kenë komplekse të thonë “Gëzuar Krishtlindjen” e “Gëzuat Pashkët” apo “Gëzuar Bajramin” e “Gëzuat festën e Hashures”, duke i dhënë gjërave emrin e tyre.

Mesazhi i plotë i Dom Gjergj Metës:

GJUHA HERMAFRODITE E EVROPËS

(Dy mendime në lidhje me urimet e festave fetare)

Ndoshta një gjë Institucionet e Evropës mund të mësojnë nga shoqëritë plurale qindravjeçare si ajo shqiptare që nuk kanë komplekse të thonë “Gëzuar Krishtlindjen” e “Gëzuat Pashkët” apo “Gëzuar Bajramin” e “Gëzuat festën e Hashures”, duke i dhënë gjërave emrin e tyre.

Prirja për të qenë gjithpërshirës e të paanshëm duke fshehur apo mohuar, duke u sforcuar në gjetjen e një gjuhe “hermafrodite” pa identitet të caktuar, duke e detyruar edhe gjuhën që t’u përshtatet ideologjive gender, është në fakt zbehje e një shoqërie. Është një pretendim i nënvetëdijshëm se historia e njerëzimit deri më tani ka qenë gabim e se ajo nis tani me këto superstruktura (duke cituar Marksin) që duan të krijojnë edhe një supergjuhë e një superkuptimësi të jetës shoqërore e të dimensioneve antropologjike të personit njerëzor. Kjo i bën institucionet demokratike, institucione arrogante.

Edhe pse nuk besoj fort te protestat apo te kundërshtimet njëllojtë ideologjike, por te formimi i ndërgjegjeve dhe mendjeve të lira, të ndërrosh apo të fshehësh identitetin e disa realiteteve që kanë një origjinë shpirtërore, sikurse janë festat religjioze, e që i përkasin shoqërive në formësimin e tyre, me anë të vendimeve politike, është shkelje kryekëput e asaj lirie themelore që perëndimit evropian i ka kushtuar gjak.

Shpirti nuk kontrollohet nga ligjet pozitive sado të përsosura të jenë ato, madje duke cituar shën Palin germa e ligjit mund edhe të vrasë.

Shpresoj që Institucionet evropiane të kenë reflektuar e të reflektojnë rreth asaj çfarë po bëjnë në lidhje me këto tema e ndërkohë askush nuk na ndalon që njëri-tjetrit t’ia urojmë festat me emrin e tyre pa pritur rregulloret e Institucioneve. E duke “përmbysur” një thënie të Fishtës po e mbyll duke thënë: “Ne që shqiptarinë e kemi bashkë, ne festojmë Bajram e Pashkë!” 

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *