Shpopullimi prek administratën, 5341 vende të lira pune në shtet

Nga të dhënat e publikuara nga qeveria në deklarimet e buxhetit faktik rezulton se në institucionet qeveritare ka vakanca në përbërjen në stafet e tyre. Shpopullimi i vendit gjatë viteve të fundit dhe niveli i ulët i pagave janë shkaku kryesor i këtyre vakancave.

Ndonëse me një numër të vogël, institucioni i parë në listë që nuk ka përmbushur nevojat e tij për staf është Presidenca, e cila nga 86 punonjës që duhet të ketë sipas planit ka vetëm 81. Institucionit më të lartë të shtetit edhe pse në krye të tij ishte Ilir Meta, një nga politikanët më aktivë kundër shpopullimit, atij i mungojnë 5 punonjës. Kryeministria ka një numër më të madh mungesash në personel, plot 59 pasi nga 177 në plan në fund të 2021 ishin të punësuar 118.

Edhe Kuvendi i Shqipërisë e ka mungesa në anëtarët e stafit, kjo pasi në fund të 2021 kishte 53 vende vakante në organikën e tij ku nga 409 punonjës që duhet të kishte sipas planit pjesë e stafit janë vetëm 356.

Në listën e institucioneve me mungesa të theksuara në stafet e tyre janë padyshim edhe dikasteret qeveritare ku dy ministri kanë mungesa që kalojnë shifrën 1 mijë. Konkretisht, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme nuk kanë në organikën e tyre 1029 dhe 1200 punonjës. Ministria e Mbrojtjes nga 8,863 punonjës në fund të 2021 kishte 7,834, ndërsa ajo e brendshme nga 14,550 punonjës kishte 13,350. Nga diferenca e numrit të punonjësve të planifikuar dhe stafit aktual rezulton se Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka një mungesë prej 888 punonjësish. Vakanca kanë përfshirë edhe Ministria e Drejtësisë me 638 punonjës që mungojnë në staf nga planifikimi e ndjekur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë me 525 staf të paplotësuar.

Dy ministrive, Ministrisë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që drejtohet nga Frida Krifca dhe Ministrisë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e drejtuar nga Ogerta Manastirliu u mungon i njëjti numër personeli, plot 216.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka 105 vende vakante, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kishte në fund të 2021 73 vende bosh në administratën e saj për të plotësuar. Dy ministritë me më pak mungesa në stafet e tyre janë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme me 38 vakanca dhe Ministria e Kulturës, e cila pati numrin më të vogël, 27 vende të lira pune. Institucione të tjera qeveritare patën një mungesë prej 185 punonjësish pa llogaritur edhe mungesat në stafet e këtyre institucioneve në nivel lokal. Mungesa të punonjësve në stafet e tyre kanë pasur edhe në institucionet e pavarura. Instituti i Statistikës pati 19 mungesa në staf, Avokati i Popullit 2, Autoriteti për të Drejtën e Informimit 7, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale 8, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve 6, Drejtoria e Arkivit të Shtetit 15, Autoriteti Konkurrencës 5, Akademia e Shkencave 4, ATSH 11, Komisioni i Shërbimit Civil 1, Kontrolli Lartë i Shtetit 15./panorama

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *